Shtatëmbëdhjetë vende të Bashkimit Evropian kanë akuzuar të martën Hungarinë se ka shkelur vlerat themelore të BE-së duke miratuar ligje që synojnë personat LGBTQ+.

Fillimisht, në muajin mars, parlamenti hungarez miratoi një legjislacion që krijon bazë ligjore për ndalimin e paradave të krenarisë (Pride) dhe i lejon policisë të përdorë kamera me njohje të fytyrës për të identifikuar personat që marrin pjesë. Pastaj, në prill, u miratuan edhe ndryshime kushtetuese që përcaktojnë se Hungaria njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër.

Sipas Reuters, në një deklaratë të përbashkët të qeverive të 17 vendeve të BE-së, thuhet se: “Jemi shumë të alarmuar nga këto zhvillime, të cilat bien ndesh me vlerat themelore të dinjitetit njerëzor, lirisë, barazisë dhe respektit për të drejtat e njeriut.”

Bëhet e ditur se vendet i kanë bërë thirrje Hungarisë të rishikojë masat, ndërsa është kërkuar nga Komisioni Evropian të përdorë plotësisht kompetencat e tij nëse Budapesti nuk e bën një gjë të tillë. Dihet se Komisioni ka të drejtë të ndërmarrë veprime ligjore në rast se shtetet anëtare shkelin ligjet e BE-së.

Reuters raporton se deklarata është mbështetur nga Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia.