Sipas raportimit investigativ të BIRN Maqedoni të publikuar në prill 2025, të dhënat për Tetovën janë zhgënjyese dhe flasin për një skemë mirë të organizuar të bashkëpunimit mes mafias urbane dhe Komunës së Tetovës. Disa nga faktet tronditëse të evidentuara janë:
Në qendër të Tetovës, mbi një parcelë ku planifikimi urbanistik parashihte ndërtesë 4-katëshe, është ndërtuar një 8-katëshe.
Vetëm 100 metra më tej, në një tjetër rast, në vend të një 6-katëshi të miratuar me plan, është ndërtuar ndërtesë 8-katëshe.
Shtatë raste të dokumentuara ku ndërtime me leje për pak kate janë rritur që në fillim mbi lejen e ndërtimit, dhe në vazhdim janë nisur procedurat për të ndryshuar planin urbanistik dhe për të legalizuar shtesat në mënyrë të jashtligjshme.
Në të gjitha këto raste, vetë investitorët kanë iniciuar ndryshimet e DPU-ve (planet detale urbanistike), duke i përshtatur në mënyrë të dyshimtë me interesin e tyre financiar.
Nga të dhënat zyrtare të Fletoreve Zyrtare të Komunës së Tetovës rezulton se vetëm 400 legalizime kanë kaluar në Këshillin Komunal gjatë viteve 2021–2025. Këto përfaqësojnë vetëm 1/5 e totalit të legalizimeve që ndodhin në Komunë dhe shumica e tyre ndodhin jashtë zonave me plane të miratuara urbanistike.
Ndërkohë, e njejta praktike dhe skeme e organizuar ndodh edhe në Komunën e Çairit, që drejtohet nga Visar Ganiu, gjithashtu pjesë e koalicionit VLEN. Vetë Kryetarja e Qytetit të Shkupit, ka dalë në terren dhe ka konstatuar mbi 150 ndërtime pa leje në tokë shtetërore, për të cilat Ganiu po tenton t’i legalizojë në mënyrë të jashtligjshme.
Së fundmi, Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, organizoi një ceremoni propagandistike, duke ndarë publikisht vendime për legalizime për qytetarët dhe duke i përdorur ato si mjet për fushatë elektorale. Të nxjerrësh qytetarët nëpër foto për një obligim ligjor që ata e kanë me të drejtë, është jo vetëm nënçmim, por kulmi i pafytyrësisë.
Të nderuar qytetarë, legalizimi i pronave nuk është shpërblim, por e drejtë e garantuar me ligj! Mos lejoni që ajo që ju takon me ligj, të përdoret nga pushteti lokal për propagandë politike dhe politikë ditore!