Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur procedurë penale ndaj një personi për veprat penale – Dhuna nga neni 386 dhe Kërcënimi i sigurisë nga neni 144 i Kodit Penal.
I dyshuari, më 5 maj, e ka kërcënuar bashkëshorten e tij gjatë një zënke verbale para dy fëmijëve të tyre të mitur, duke i bërë kërcënime serioze. Më pas ka marrë një vazo dhe e ka hedhur drejt saj – nuk e ka goditur, por ka goditur murin. E frikësuar për sigurinë e saj dhe të fëmijëve, ajo i ka marrë menjëherë dhe është larguar për te nëna e saj.
Më 7 maj, i dyshuari e ka ndjekur me veturën e tij dhe i ka zënë rrugën makinës ku ndodhej e dëmtuara me një person tjetër. Ai ka filluar t’i ofendojë dhe kërcënojë, më pas ka goditur automjetin disa herë me këmbë, grushte dhe sende të ndryshme. Me këto veprime të dhunshme ka shkaktuar ndjenjë pasigurie dhe frike te të dëmtuarit.
Prokurori publik ka paraqitur kërkesë te gjykatësi i procedurës paraprake për caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit – ndalim për të lënë vendbanimin ose qëndrimin, detyrim për t’u paraqitur periodikisht te një zyrtar i caktuar, marrje e përkohshme e pasaportës ose ndalesë për pajisje me të, ndalim për të vizituar vende ose zona të caktuara, si dhe ndalim për t’iu afruar apo komunikuar me të dëmtuarën.