Anëtarësimi i plotë në Bashkimi Evropian edhe më tej paraqet qëllim strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kështu, prioritet kryesor është fillimi i negociatave për qasje në Bashkimi Evropian, sa më shpejt që është e mundur. Edhe pse BE-ja ishte, është dhe do të mbetet qëllimi kryesor, për fat të keq, ende ky shtet mbetet në pritje që t’i hapen dyert e anëtarësimit!.

Maqedonisë së Veriut gjithmonë i kërkohet diçka shtesë

Maqedonia e Veriut ndoshta është i vetmi vend në Evropë që nuk ka sfida të bazuara në arritje ose lloje të tjera kriteresh që vlejnë për vendet e tjera, ose që janë në proces të anëtarësimit në BE.

Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që të përfshijë në preambulën e Kushtetutës minoritetin bullgar. Ky kusht është futur në kornizën negociuese që Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”. Opozita, që atëbotë udhëhiqej nga VMRO-DPME ishte kundër ndryshimeve kushtetuese. Në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar, VMRO-ja doli e para dhe mori udhëheqjen e Qeverisë dhe kryeministri Mickoski e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta rinegociojë “propozimin francez”.

Qeveria thekson se ndryshimet kushtetuese nuk ofrojnë garanci të qartë për anëtarësim të BE-së, prandaj kryeministri Mickoski vazhdon të këmbëngul se si shtet kanë bërë shumë në dy dekada e gjysmë që kur Maqedonia e Veriut ka nisur rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ëshët fakt se shumë gjëra që askush nuk i ka bërë deri më tani, Maqedonia i ka bërë dhe këto nuk kanë të bëjnë aspak me kriterin e Kopenhagës.

Maqedonia e Veriut është rasti i vetëm kur marrëveshjet dypalëshe janë kushte në kornizën negociuese.

Kryeministri Mickoski vazhdon të thotë se “sikurse shumica e qytetarëve maqedonas, nuk duhet të pranojmë më kushte, pa garanci, në kurriz të koncesioneve kombëtare apo të identitetit”.
Maqedonia e Veriut dëshiron t’i fillojë negociatat, të cilat nënkuptojnë forcim të institucioneve, përmirësim të kapaciteteve dhe nuk nënkuptojnë anëtarësim. Prandaj, është shumë e vështirë të pranohet propozimi se këto ndryshime kushtetuese do të jenë efektive vetëm kur Parlamenti bullgar të ratifikojë protokollin e pranimit të Maqedonisë së Veriut si shtet në BE.

Strategjia e qeverisë së re është që të dalin në terren dhe të paraqisnim argumentet e tyre. Ky është mjeti demokratik që kanë në dispozicion.

Çfarë duhet të bëjë Maqedonia e Veriut!

Ngjashëm si në të kaluarën, është shumë e qartë se BE-ja nuk do të thyej parimet e veta. Dihet qartë se pranimi i anëtarëve të reja bëhet me votim të gjithë anëtarëve dhe secili shtet anëtar ka të drejtën e vetos. Më herët Greqia ishte pengesa kryesore e integrimit, por shteti e ndryshoi emrin dhe u bë anëtare e NATO-s, ndërkaq tani Bullgaria i ka vendour kushtin e ri.

Rruga e vetme është që Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh, me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Fatkeqësisht, pushteti ka ndryshuar retorikën ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Aktualisht kërkohet garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese, që në fakt shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.

Megjithatë ende nuk ka presion ndërkombëtar ndaj Maqedonisë së Veriut për këtë çështje. Sigurisht se pas zgjedhjeve lokale ky presion do të rritet dhe qeveria duhet të gjejë zgjidhje njëherë e përgjithmonë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030.