Çka dihet për krimin në Prizren? Burri tentoi t’i privojë nga jeta gruan dhe vajzat – njëra nga të bijat nuk mbijetoi

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren, ku dyshohet se babai e ka vrarë vajzën e tij 15-vjeçare, ndërkaq ka plagosur tjetrën, 10-vjeçare.
Lëndime ka pësuar edhe ai vet, si dhe e shoqja e tij 35-vjeçare, gjë të cilën për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ai bëri të ditur se të gjithë këta janë familjarë në mes vete dhe janë shtetas turk me banim të përkohshëm në Prizren.
“Sot me datë 06.05.25 rreth orës 05:57 policia përmes telefonit ka marr informatën se në rrugën “Shote Galica ” në Prizren ndodhet një person i lënduar dhe se emergjenca mjekësore nuk po mund ti jep ndihmë ngase një I dyshuar ndodhet me thikë në dorë. Në atë drejtim janë nisur 4 patrulla policore”.
“Në vend ngjarje është kuptuar se një i dyshuar M.G. viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15-vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë”.
“I dyshuari ka lënduar veten gjithashtu dhe gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lëndime ka pësuar edhe e shoqja e tij 35 vjeçare. Të gjithë këta janë familjar në mes vete dhe janë shtetas turk me banim të përkohshëm në Prizren. I dyshuari është arrestuar dhe policia është duke u marr me rastin”, thuhet në konfirmim.
I dyshuari për këtë këtë vrasje të kryer me thikë është Mehmet Gorenc, 45-vjeçar, vajza që humbi jetën është me inicialet S.Gorenc.
Ndërkaq motra e saj, që mbeti e lënduar është A.Gorenc, për të cilën kryeprokurori Petrit Kryeziu bëri të ditur se është jashtë rrezikut për jetë.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar nga hetuesit policor që ka ndodhur një rast i vrasjes, ku ka humbur jetën një vajzë rreth 15-vjeçare dhe një tjetër është e plagosur dhe dyshohet se krimi është kryer brenda familjes. Poashtu edhe kryerësi i veprës është i vetlënduar”.
“Vajza tjetër e mitur 10-vjeçare në bazë të informatave është jashtë rrezikut për jetë, gjithashtu edhe kryerësi i veprës penale është jashtë rrezikut për jetë”, është shprehur ai.
Edhe drejtori i policisë në Prizren, Faton Aliu foli për këtë ngjarje, duke thënë se familja ku ndodhi ky rast ka rreth një vit që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
“I dyshuari është nën mbikëqyrje, kontrollë policore, poashtu edhe gruaja e të dyshuarit, nëna e viktimës, sepse bëhet fjalë për një familje katëranëtarëshe, sipas informatave të para, dyshohet rreth një vit ka kohë që këta jetojnë dhe punojnë në Kosovë, nuk kemi raste të raportuara më herët për ta, për ndonjë mosmarrëveshje eventuale apo për ndonjë incident tjetër”, është shprehur ai.
Poashtu është bërë e ditur se vajza e plagosur është dërguar për trajtim në Qendren Emergjente në QKUK.
E me detaje lidhur me gjendjen e saj shëndetësore, për Klankosova.tv ka folur drejtori i QE-së, Naser Syla, i cili tha se sipas së gjitha gjasave trajtimin do ta vazhdojë në ORL.
“Duke u trajtuar është tek ne. Ta shohim pas ekzaminimeve ku do ta dërgojmë. Sipas të gjitha gjasave në ORL do të shkojë”, tha Syla./Klankosova.tv