Pothuajse të njëjtat mesazhe që dëgjuam nga vizitat e mëparshme në vendet fqinje i dërgoi sot Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili vizitoi Shkupin në kuadër të turneut të tij ballkanik.

“Zgjerimi është një qëllim i përbashkët dhe ky është investimi më i mirë gjeostrategjik në paqe dhe siguri”, tha Costa, duke përsëritur atë që përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë e thënë deri më tani, se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian.

“Maqedonia e Veriut ka bërë shumë punë, ju duhet të qëndroni në rrugën e integrimit evropian. E dini, procesi i pranimit është më shumë maratonë, se sa sprint. E di që kjo rrugë mund të jetë e vështirë, mund të jetë frustruese, por të gjitha vendet e mëparshme kandidate e kanë arritur qëllimin dhe sigurisht që ju do të bëni të njëjtën gjë. E inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë përpjekjet e tij në këtë drejtim, ne jemi në dispozicionin tuaj, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë thelbësore”, tha Presidenti i Këshillit Evropian.

Ai vjen në Shkup pasi vizitoi Beogradin, Sarajevën, Podgoricën dhe Prishtinën, dhe do ta përfundojë turneun e tij ballkanik në Tiranë.

Kreu i Këshillit Evropian deklaroi qartë se ka detyrime që duhen përmbushur në mënyrë që të bëhet përparim në procesin e pranimit të RMV-së në BE. Ajo që u ra dakord në vitin 2022 duhet të përmbushet, tha Costa, duke aluduar në detyrimin për ndryshimet kushtetuese, me të cilat bullgarët do të bëhen pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

“Kur pyet për garancitë, është e qartë se ajo që është rënë dakord është rënë dakord dhe tani nuk ka asgjë tjetër për të negociuar, nuk ka vend për të kërkuar asgjë më shumë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Planin A dhe duhet të përqendrohemi në atë plan. Ne e dimë se cilat janë kriteret e Kopenhagenit, ne e dimë se cilat reforma duhet të përfundojnë, ne e dimë se çfarë u ra dakord në vitin 2022 dhe tani duhet ta zbatoni këtë”, tha Costa.