Debat konsultativ i Kuvendit dhe UNICEF-it: Nevojitet avancim i vazhdueshëm i agjendës për të drejtat e fëmijëve

Debat konsultativ për situatën e fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut u mbajt sot në
Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me UNICEF-in.
Ky aktivitet është i pari nga seria e aktiviteteve që është dakorduar midis Kuvendit dhe UNICEF-it, me qëllim
avancimin e mëtejshëm të agjendës për të drejtat e fëmijëve.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalën e tij shprehu kënaqësinë që Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të
rëndësishëm në realizimin e të drejtave të fëmijëve, duke filluar me ratifikimin e Konventës për të drejtat e
fëmijëve dhe miratimin e akteve të ndryshme ligjore. Por. Siç tha, ende kemi shumë punë. Sfidat e
vazhdueshme kërkojnë angazhim më të madh, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët me aftësi të kufizuara,
dhunën ndaj fëmijëve, shërbimet shëndetësore, arsimin dhe diskriminimin.
"Nelson Mandela tha: Karakteri i vërtetë i një shoqërie zbulohet nga mënyra se si i trajton fëmijët e saj. “Ky
mesazh na kujton se investimi në fëmijët tanë nuk është vetëm një investim në të ardhmen e shoqërisë, por
edhe krijimi i themelit të shpirtit të shëndoshë të asaj shoqërie”, tha kryetari Gashi.
Ai theksoi se çdo qytetar ka rol në krijimin e botës më të mirë për fëmijët, përderisa Kuvendi ka detyrim të
sigurojë shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të sigurt për të rinjtë.
"Jam e bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë në realizimin e të drejtave të fëmijëve – përmes
miratimit të ligjeve dhe buxheteve, sigurimit të mbikëqyrjes së zbatimit të tyre dhe, më e rëndësishmja,
përmes udhëheqjes dhe angazhimit tonë kolektiv. Investimi në të drejtat e fëmijëve nuk duhet të shihet si
shpenzim- por si investim në fëmijët sot dhe në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut", tha përfaqësuesja e
UNICEF-it, Lesli Miler.
Ajo theksoi se puna e UNICEF-it me Parlamentin këtu dhe në mbarë botën ka treguar se të drejtat dhe
mirëqenia e fëmijëve i bashkon të gjithë palët e interesuara, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.
"Parlamentarët mund të bëhen përfaqësues të rëndësishëm për të drejtat e fëmijëve dhe për këtë arsye
kanë mundësi unike për të nxitur një shoqëri më gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të begatë për të gjithë."
Baza e diskutimit të sotëm ishte Analiza e situatës së fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut, e
cila u zbatua me mbështetjen e UNICEF-it në vitin 2024, për të shqyrtuar progresin e vendit drejt realizimit të
të drejtave të fëmijëve dhe arritjes së Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, dhe që asnjë fëmijë të mos
lihet pas dore.
Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutim mbi progresin që vendi ka bërë në avancimin e të drejtave të
fëmijëve që nga ratifikimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1993 deri më sot. Si dhe në diskutim
mbi fushat kryesore që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme, siç theksohet në Vërejtjet përfundimtare mbi
Maqedoninë e Veriut të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve. Këto rekomandime
mbulojnë masa në fushat e koordinimit, mosdiskriminimit, dhunës ndaj fëmijëve, fëmijëve me aftësi të
kufizuara, shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.
Në fund të debatit konsultativ, pjesëmarrësit ranë dakord të organizojnë takime shtesë informuese me
komisionet përkatëse parlamentare për të diskutuar fushat për harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit
nacional me dispozitat e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.