Prishtinë- Në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Shaqir Lutvija, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitarët Sefer dhe Haxhi Gashi rrëfyen për maltretimet që i kanë përjetuar nga i akuzuari në stacionin policor në Prizren gjatë kohës luftës më 1998-’99. Thanë se e identifikuan në bazë të nishanit që e ka në fytyrë.
Në këtë rast, Shaqir Lutvija akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte.
Dëshmitari Haxhi Shala tha se maltretimet ndaj tij kishin filluar kur ua mohoi të jetë ushtar, e që si pasojë e maltretimeve nuk kishte mundur të hante as ushqim.
“Si kanë hy në dhomë njërën dorë ma kanë lidhë për karrige, mendja e tyre mos po iki a çka po di dhe ka fillu pyetja aty a je ushtar. Unë ju kam thanë jo dhe aty ka fillu maltretimi me shufra gome, grushta, nuk kanë zgjedh pjesë”, tha dëshmitari Haxhi Shala.
Ai tha se ishte arrestuar në fshatin Mohlan të Suharekës dhe më pas e kishin dërguar në një stacion policor- që tash është ambulanta e fshatit në Mohlan dhe më pastaj e kishin dërguar për në Prizren.
Gashi theksoi se edhe i akuzuari Lutvija e kishte rrahur dhe këtë e di sigurt në bazë të nishanit që e ka poshtë syrit.
“Po, më ka rreh edhe kurrë se s’e kishta njoh mos te kish pas shenjën”, tha Haxhi Gashi.
Dëshmitari shtoi se ishte i dënuar me 13 vjet burgim kinse si terrorist dhe se e pas burgut në Prizren e kishin transferuar në burgun e Prokuples, por se aty nuk i kishin torturuar dhe i kishin trajtuar si të burgosurit e tjerë.
Sipas tij, gjatë kohës sa ishte në Prizren kishte avokat dhe se i kishte treguar për maltretimet që po i bëhen. Tha që s’e di nëse avokati i ka trajtuar dhe lajmëruar ato maltretime.
Gjithnjë sipas Gashit, kur ka bërë identifikimin e të akuzuarit Lutvija, kishte parë edhe disa fotografi të tjera nga hetuesit policorë dhe se personat e tjerë që i kanë prezantuar në ato foto nuk kanë pasur shenjën nën sy si e ka edhe i akuzuari.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit Sefer Gashi, i cili tha se në Prizren ishin në një dhomë burgu së bashku me dy vëllezër të tjerë, ndërkaq në një dhomë tjetër tregoi se e ka pasur edhe një vëlla.
I pyetur për gjendjen e vëllezërve, dëshmitari Sefer Gashi tha se më mirë të mos i kishte parë.
“Ma mirë mos m’i pa”, tha Gashi.
Po ashtu, Gashi tha se identifikimin e të akuzuarit Lutvija e ka bërë në bazë të nishanit që ka në fytyrë. Kjo pasi që kishte dhënë dëshminë e tij para hetuesve policorë.
Gjithashtu, ai sqaroi se kishte biseduar me vëllezërit e tij dhe se u ka thënë se e ka malteruar një person me një nishan në fytyrë, për çka kurrë nuk e harron.
“Unë ju kam thanë se ka pasur një pikë dhe deri të vdes nuk e harroj edhe se më ka thanë jam i Novi Sadit”, tha dëshmitari.
Me përfundimin e dëshmisë së të dy dëshmitarëve u ndërpre edhe seanca e sotme për të vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë në seancat e radhës.
Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.
Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.