Detaje për aksionin “Bunker”: Katër persona të arrestuar, kanë organizuar vrasje me porosi – njëri nga të vrarët është edhe Orhan Bajrami-Oki

Bazuar në provat e siguruara gjatë procedurës hetimore që po zhvillohet ndaj anëtarëve të grupit kriminal “Bellanoca-Baron” në rastin me emrin e koduar “Bunker”, nën drejtimin e prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot në orët e mëngjesit njësitë e MPB-së kanë kryer bastisje në pesë lokacione në Shkup. Gjatë bastisjeve, katër persona janë arrestuar, ndërsa në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur një sasi më e madhe marihuane, e cila do t’i nënshtrohet ekspertizës.
Prokurori publik ka lëshuar Urdhër për fillimin e procedurës hetimore kundër katër të arrestuarve, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprat penale “Shoqatë kriminale” dhe “Vrasje”, ndërsa njëri nga të dyshuarit edhe veprën “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursoreve”.
Sipas provave të siguruara, gjatë vitit 2023 të dyshuarit janë bërë pjesë e një grupi që ka vepruar për një periudhë të gjatë kohore, me qëllim kryerjen e veprave penale si vrasje për hakmarrje dhe me porosi, për të cilat është paraparë dënim me burg prej së paku dhjetë vjetësh ose burgim të përjetshëm, si dhe vepra të tjera. Ata, duke pranuar urdhrat dhe udhëzimet nga organizatorët e grupit, në mënyrë të vazhdueshme kanë ndërmarrë veprime për sigurimin e kushteve, eliminimin e pengesave dhe vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e vrasjeve me porosi.
Kështu, tre nga të dyshuarit gjatë muajit korrik 2023, në territorin e Maqedonisë dhe Greqisë, të nxitur dhe me urdhër të një të dyshuari tjetër – organizator i grupit, kanë ndërmarrë veprime për zbulimin e vendndodhjes së viktimës dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale, ku më pas në Greqi është vrarë një anëtar i një grupi kriminal rival nga zona e Gërçecit. Në maj të vitit 2024, para një objekti në të ashtuquajturën “rruga e plastikave” dy të dyshuar kanë kryer një vrasje, ndërsa gjatë arratisjes kanë shtënë në një veturë të parkuar afër, duke plagosur disa persona, prej të cilëve një ka ndërruar jetë.
Prokurori kompetent, duke vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore, do të propozojë masën e paraburgimit për tre nga të dyshuarit para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Penale Themelore Shkup, ndërsa për një të dyshuar do të propozojë masa kujdesi.