Z. Makbul Idrizi ka ndjekur studimet për më shumë se 10 vite në Medresenë dhe Fakultetin Universitetit prestigjioz Al-Azhar në Kajro. Pas përfundimit të studimeve, ai u kthye në Zvicër, i pajisur me një bagazh të pasur dijeje. Aktualisht, është në përfundim të studimeve të magjistraturës në të njëjtin fakultet, të cilat i ka filluar në fund të vitit 2021. Në vitet e fundit, z. Idrizi ushtron detyrën e imam-it në një xhami në qytetin Wil, kantoni i St. Gallenit, Zvicër.
Pyetje: Çfarë pasioni dhe inspirimi kishit ndaj shkollave juridike islame?
Pasi u ktheva nga studimet e mia prej Kajro në Zvicer dhe fillova misionin tim në xhami, ku janë më shumë se 20 kombe. Vura re se disa persona me kombësi kurdo-irakiane po radikalizoheshin ngadalë në rrjedhën e ISIS-it. Kur e kuptova këtë, menjëherë u përpoqa t’u kundërvihem me shpresën se ndoshta do të bindeshin, por ai person nuk kishte aspak qëllim të ndryshonte. Gjatë atij debati, vendosëm së bashku me kryesinë ta denoncojmë atë person në polici. Që nga ajo kohë, shteti zviceran ka shprehur mirënjohje ndaj nesh si xhami.
Megjithatë, ndërgjegjja ime nuk më linte rehat pa hulumtuar se nga buronte kjo urrejtje, fillimisht ndaj muslimanëve dhe pastaj ndaj jomuslimanëve. Nuk kaloi shumë kohë dhe kuptova se këta simpatizantë të ISIS-it mbështeteshin në librat e Shejh Muhamed bin Abdulvehhabit dhe ithtarëve të tij, si p.sh.: Kitab ed-Duraru es-Senije fi el-Exhvibe enNexhdijje, Kitab Mufid el-Mustefid fi Kufri terik et-Teuhid. Gjithashtu, disa fetva të tjera të ngjashme kishin sjellë përçarje të mëdha në botën islame. Madje, këto ndasi nuk kishin ndikuar vetëm te umeti në përgjithësi, por edhe brenda familjeve, duke shkaktuar ndarje mes prindërve dhe fëmijëve, ku disa të rinj i quanin prindërit e tyre qafirë (jobesimtarë).
Pyetje: Nga cilat rryma vinin këto ideologji radikale dhe ekstremiste?
E gjithë kjo ideologji buronte nga dijetarët (ulemaja) e medresesë së Nexhdit, apo më saktë nga medreseja vehabite. Ajo që më habiste më së shumti ishte se vëllezërit tanë selefi të ditëve të sotme, kur i pyes për ISIS-in, thonë se ata janë havarixh (grup ekstremist). Por ata harrojnë se, po të hulumtojnë më thellë, do ta kuptojnë se doktrina e ISIS-it bazohet pikërisht në librat e Muhamed bin Abdulvehhabit dhe ithtarëve të tij. Nëse ISIS-i është havarixh, atëherë edhe Shejh Muhamed bin Abdulvehabi duhet të jetë i tillë, por fatkeqësisht askush nuk e thotë këtë hapur. Bile edhe në Saudi nuk guxojnë ta thonë këtë, për shkak të rrezikut që u kanoset disa hoxhallarëve (ulemasë) apo njerëzve. Ajo që më trondit më shumë është fakti se shumica e hoxhallarëve shqiptarë që kanë studiuar në Medinë (Arabia Saudite) nuk e tregojnë realitetin e këtij personi, edhe nëse e dinë, e fshehindhe e arsyetojnë. Përkundrazi, ata e heshtin të vërtetën dhe madje disa e shenjtërojnë atë.
Nuk po them se e trajtojnë si të dërguar të Allahut, por është e qartë se ekziston një lloj idealizimi ndaj tij. Një tjetër gjë që vihet re qartësisht është urrejtja e tyre ndaj medh’hebit hanefi. Në Arabinë Saudite ose në ato shkolla, nuk mësohet diversiteti i medh’hebeve, siç ndodh në Al-Az’har apo në fakultetet tjera islame, ku studentët janë të lirë të zgjedhin mendimin e tyre. Jo, në Arabinë Saudite, në fund të hulumtimit, thuhet: Mendimi më i saktë është ai i filan shejhut të sotëm. Kështu që nuk merren mendimet e të parëve (selefëve) ashtu siç pretendojnë sikur i ndjekin të parët (selefët). Ai filan imami (shejhu) edhe ai është njeri, nuk i vjen Xhibrili a.s. Kështu që të mos të mashtrojnë në emër të të parëve (selefëve).
Do të të tregoj një mënyrë të thjeshtë për të kuptuar se shumica e hoxhallarëve selefistë nuk dinë asgjë për medh’hebet (qëndrimet) e të parëve (selefëve). Pyet çdo hoxhë selefi për një çështje fikhu apo akide (besimi).. dhe pasi të të përgjigjet, thuaji: Ju lutem, hoxhë, cilat janë mendimet apo medh’hebet e të parëve (selefëve) për këtë çështje? Do të habitesh që zakonisht nuk e di përgjigjen. Provo vetë dhe do ta shohësh! Pse ndodh kjo? Sepse selefistët nuk i studiojnë mendimet e selefëve dhe nuk dinë asgjë për to. Për ta, të parët (selefët) janë Ibn Bazi, Ibn Uthejmini, Favzani, Albani dhe Këshilli i Dijetarëve të Arabisë Saudite. Pastaj kërkojnë argumente apo thënie të selefëve që përputhen me fetvatë e këtyre dijetarëve. Por në të vërtetë, shumica dërrmuese e selefistëve nuk i studiojnë fare qëndrimet e vërteta të selefëve dhe nuk e njohin aspak mospajtimin midis tyre. Nuk kanë as njohurinë më të vogël për dijen dhe trashëgiminë e selefëve, Allahu i mëshiroftë.
Pyetje: I nderuari Mr. Imam, a ekziston fanatizmi dhe radikalizmi edhe në medh’hebin hanefi?
Pikë së pari, fanatizëm ka në çdo shkollë (medhheb), jo vetëm në Hanefi. Ja vlen ta cekim shumë me rëndësi se askush nuk guxon ta shndërrojë shkollën (medhhebin) në kanun (ligj detyrues absolut), sepse ne jemi rob të Allahut, jo rob të njerëzve. Çka dua të them me këtë, është se çka është mes Allahut dhe robit duhet të jetë i lirë robi. Kurse çka është mes robit dhe robit, atëherë quhet ajo kontratë. Allahu në Kuranin famëlartë thotë: (Përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës). Gjithashtu Allahu thotë: (O ju besimtarë, plotësoni detyrimet)!
Nga ana tjetër, edhe ne që jemi në Ballkan dhe i përkasim shkollës (medh’hebit) hanefi, kemi një lloj fanatizmi që është me rëndësi dhe duhet të përmendim. Fjala medhheb hanefi do të thotë vend, shkollë juridike hanefi, ose shkolla juridike Maliki ose Shkolla juridike Shafi dhe kështu me radhë. Kur themi shkolla juridike Hanefi, do të thotë koncepti, kuptimi, perceptimi hanefi. Edhe pse ne si imamë e dimë këtë, prapë e bëjmë këtë sikur shpallje të jetë. Ne nuk e themi këtë shpallje, por kur nuk jemi tolerantë me mendime të tjera, atëherë bëhet kjo sikur vetëm kjo është feja (din). Bile disa hoxhallarë nuk pranojnë asnjë mendim tjetër përveç atij hanefi, edhe pse brenda kësaj shkolle ka divergjenca dhe kjo është normale. Shkurt, nuk ka koncept apo kuptim që nuk korrespondon me një koncept tjetër. Disa shkojnë edhe më larg, nuk janë tolerantë të falet dikush tjetër ndryshe. Te disa shkojnë edhe më larg, se në qoftë se ti nuk i përket kësaj shkolle hanefi, bie prej syve të tyre. Edhe pse ky dijetar i madh është quajtur Imam el-Adham (Imami më i Madh), ai vetë ka qenë i hapur ndaj mendimeve të nxënësve të tij, si Ebu Jusuf, Muhamed bin Hasan es-Shejbanij dhe Zuferi.
Ashtu si ka thënë Imam Shafi: Njerëzit në jurisprudencë janë si fëmijët që varen nga prindi ,te mbështetur te dijet e Imam Ebu Hanifes. Ndryshe, e kuptoj deri diku pse e bëjnë këtë, këta të shkollës (medh’hebit) Hanefi, për shkak të sulmit ndaj shkollës hanefi që bëjnë ato të tjerët (vehabij), por prapë se prapë nuk ka nevojë për këtë fanatizëm.
Pyetje: Si lindi fanatizmi dhe dogmatizmi në shkollat juridike islame (medhheb)?
1.Fajet e mëdha i kemi ne, si hoxhallarë, sepse nuk ua tregojmë njerëzve diversitetin e medh’hebeve.
2.Nuk ka respekt sa duhet në specializim mes hoxhallarëve. Një hoxhë që ka bërë master së paku i di këto, por për fat të keq nuk i përmbahemi kësaj. Del hoxha i filozofisë islame flet për hadithin, del hoxha i tefsirit flet për Sheriatin, ose e kundërta. Kjo ndodh vetëm te ne. Shikoni sa larg ka mbërritur mjekësia. Pse? Sepse çdo mjek e respekton specializimin dhe nuk ndërhyn në specializimet e tjera. Edhe pse ne hoxhallarët çka kemi studiuar jashtë në universitetet e mëdha arabe i dimë këto, mirëpo prapë nuk i përmbahemi. Kur bisedoj me disa hoxhallarë, qofshin selefi, vehabi apo hanefi fanatikë, ata thonë: Ne duhet të tregojmë vetëm një mendim, se përndryshe nuk e mbajmë dot xhematin nën kontroll. Allahu ne kuran famelart i thotë Pejgamberit a.s.
Ti këshilloj njerzit o Muhamed, se ti je vëtëm këshillues,dhe nuk je ngarkuar ti detyrosh ata me forcë. Pra ti nuk guxon te behesh rojtar, polic apo ti kontrollosh njerzit. Feja e Allahut nuk është kontroll, dhe qëllimi i Muhamedit a.s. nuk ishte ta kontrollojë botën, por ai na mësoi se si ta kuptojmë atë. Muhamedi a.s. nuk erdhi të sundojë botën, por të na hapë sytë ndaj saj. Ai nuk kërkoi të zotërojë tokën, por zemrat tona. Na mësoi se bota nuk është thjesht vend për të jetuar, por shkollë për të kuptuar. Se drita e vërtetë nuk vjen nga pushteti, por nga e vërteta. Ai nuk ndërtoi perandori, por ndërtoi shpirtra që ecin drejt përjetësisë. Gjëja tjetër, mos tregimi i dijes njerëzve, kjo është krim ndaj fesë. A për këtë na ka paralajmëruar i dërguari i Allahut duke thënë: Kush pyetet për dije dhe e fsheh atë, Allahu do t’i vendosë atij një fre prej zjarri në Ditën e Kijametit. Me keqardhje them se shpeshherë e kam hasur këtë qëndrim… O ne hoxhallarë të nderuar, që neve Allahu na ka nderuar me një vazifë të madhe si imam. Fjala imam ceket edhe në Kuran. Vallahi, Allahu e qorton edhe profetin e Tij duke i thënë në Kuranin famëlartë: Thuaj E vërteta vjen nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë, dhe kush të dojë, le të mohojë. Allahu thotë prapë: Sikur Zoti yt të donte, të gjithë njerëzit do të besonin. A mos vallë ti do t’i detyrosh ata të bëhen besimtarë? Allahu gjithashtu thotë: Të dërguarve u obligohet vetëm kumtimi. Pra vetëm kumtimi dhe ngre duart lart. Kur kjo vlen për pejgamberët, ku mbetemi ne si njerëz të thjeshtë. Ne si imam kur hyjmë në dialog me jomuslimanët, u themi se Allahu në Kuranin famëlartë thotë: Nuk ka dhunë në fe. Duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe me ne muslimanët të themi se nuk ka dhunë në koncept apo në kuptim.
3.Frika nga diçka e panjohur kur njerëzit nuk kanë njohuri mbi shkollat e tjera juridike, ata i shohin si të huaja dhe mendojnë se mund të dalin nga feja.
Përfundimi:
Kjo është arsyeja pse unë vendosa të studioj master në “Jurisprudencë Islame Krahasuese” prej fundit të vitit 2021 e deri tash ende jam atje në universitetin më të madh islam, AlAz’har. Kam pasur kritika nga disa kolegë të mi pse e kam zgjedhur këtë drejtim, duke thënë se nuk është e mirë, sepse duhet ndjekur vetëm një medhheb (qasje fanatike). Universiteti i Al-Az’harit nuk e ka përfshirë këtë lëndë pa qëllim, dhe ajo studiohet në detaje bashkë me të gjitha medh’hebet. Në një bisedë me një vëlla, ai më tha se nuk duhet të përmenden mendime të ndryshme në fetva. Kjo është një fatkeqësi e madhe, sepse në universitet nuk na mësojnë kështu. Një thënie duhet ti atribuohet thënësit të saj, kjo është tradhti ndaj dijes.
Më e keqja është t’ia atribuosh Allahut mundin e dijetarit. Allahu na ruajt! Allahu në Kuran thotë: Mos thoni për atë që shpifin gjuhët tuaja: Kjo është e lejuar dhe kjo është e ndaluar, duke shpifur kështu gënjeshtër kundër Allahut. Vërtet, ata që shpifin gënjeshtra kundër Allahut nuk do të shpëtojnë. Është një iftira (shpifje) me ia atribuar Allahut fjalët e dijetarit. Kjo lëndë nuk të lejon të bëhesh fanatik, por të mëson të kuptosh diversitetin jo vetëm brenda Islamit, por edhe në familje, shoqëri, mes muslimanëve dhe jomuslimanëve
Autori : Merxhan Jakupi