Dimitrieska-Koçoska: E dimë se çfarë duam dhe punojmë në mënyrë të përkushtuar në realizimin e detyrimeve

Ne ishim vendi i parë që përfunduam marrëveshjen e parafinancimit në kuadër të Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, me çka treguam se po ecim të sigurt, e dimë se çfarë duam dhe punojmë në mënyrë të përkushtuar me dinamikë të përshpejtuar të realizimit të detyrimeve, deklaroi për MIA-n ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila sot në Bruksel mori pjesë në Dialogun e rregullt vjetor ekonomik dhe financiar midis BE-së dhe partnerëve rajonal.
“Duhet të kemi parasysh se kjo Qeveri nuk ka ende një vit se si funksionon dhe tani në një kohë kaq të shkurtër ishte e nevojshme të vendoset komunikimi brenda institucioneve për çështjet rrjedhëse, ndërsa në mënyrë plotësuese ishin edhe kërkesat e Planit të rritjes. Prandaj them se në periudhën e ardhshme pres që të shkojmë madje edhe me dinamikë më të përshpejtuar, kështu që shpresojmë të rikthejmë vendin e parë që kishim, veçanërisht pasi që për sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor ne ishim përpara të gjithëve. Është e trishtueshme të dimë se në vitet e kaluara e kemi humbur atë, por besoj se në një periudhë shumë të shkurtër do të kthehemi në vendin e parë në përmbushjen e detyrimeve që na janë dhënë”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Ajo shtoi se Ministria e Financave iu përgjigj detyrave të kërkuara brenda Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, ku deri në fund të vitit të kaluar u bënë ndryshime në 16 akte nënligjore, ndërsa është vonuar vetëm me ndryshimin e Urdhëresës për investime publike u vonua për arsye objektive, meqë po kalohet në mënyrë të re të miratimit të vendimeve për investimet kapitale.
“Deri më tani, çdo ministër ka vendosur vetë, ndërsa tani me këtë urdhëresë do të kemi organ të centralizuar që do të vendosë se çfarë është prioritet, çfarë ishte edhe kërkesa e Bashkimit Evropian. Edhe këtë e përfunduam, tha Dimitrieska-Koçoska, duke shtuar se ishte e rëndësishme ajo që ndryshimet janë bërë në kuadër të asaj që është e planifikuar, meqë të gjitha detyrimet janë definuar me afate mujore. Sipas saj, e gjithë ajo që është dakorduar për deri më 31 mars është realizuar tashmë, për çka meritat u takojnë të gjitha institucioneve që përfundojnë punët me kohë.
Ministrja theksoi se pikërisht Plani për rritje, ajo që ishte parësore dhe në çfarë u punua në periudhën e kaluar, por sigurisht edhe ajo që vijon në të ardhmen, ishte në fokusin e takimit të sotëm vjetor të ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve anëtare të BE-së dhe partnerëve rajonalë.
“Më gëzon fakti që ajo që është përmendur në Planin e rritjes është po ajo që është prioritet edhe i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, dhe në përgjithësi në atë drejtim po lëviznin konkluzionet e takimit të sotëm”, tha ministrja e Financave.
Dimitrieska-Koçoska bëri të ditur se ato përparësitë tona janë të orientuara drejt krijimit të mjedisit të favorshëm të biznesit në të cilin do të ketë politikë të parashikueshme tatimore dhe luftës kundër ekonomisë gri, si dhe drejt zbatimit të transformimit digjital, i cili është i pashmangshëm nëse duam luftë serioze me ekonominë gri dhe administratën funksionale. Për më tepër, në mesin e prioriteteve vijon kapitali njerëzor, i cili është problem i pothuajse të gjitha vendeve, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, më pas energjia e qëndrueshme dhe tranzicioni i energjisë, si dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë në shtet.
“Në përgjithësi, konkluzionet e të gjitha vendeve që morën pjesë në takimin e sotëm lëvizin në atë drejtim. Besoj se në periudhën e ardhshme, si edhe në periudhën e kaluar, do të mund të jemi një nga vendet e para që do të përmbushim kërkesat që vijnë nga Brukseli”, tha Dimitrieska-Koçoska, duke falënderuar me këtë rast të punësuarit në Ministrinë e Financave për angazhimet e tyre në periudhën e kaluar, duke u bërë kështu vendi i parë që përmbushte detyrimet e tij.
Një nga temat kryesore të Dialogut ekonomik dhe financiar ishte edhe forcimi i konkurrueshmërisë në Evropë, për çka, sipas Dimitrieska-Koçoska, punon me përkushtim Ministria e Ekonomisë, për të cilin qëllim janë siguruar edhe mjete shtesë të dedikuara për investime përmes të ashtuquajturës kredi hungareze.
“E gjithë kjo ka për qëllim përmirësimin e konkurrueshmërisë së kompanive maqedonase, përmirësimin e produktivitetit dhe të gjithë atyre elementëve, me qëllim të përmbushjes së detyrave”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Sipas saj, është për të ardhur keq që në Planin e rritjes si detyrime në janë shënuar disa detyra që është dashur t’i bëjmë vetë, e jo dikush tjetër të na thotë se duhet t’i bëjmë.
“Për fat të keq, ato tani janë shkruar dhe ne duhet t’i realizojmë. Por, edhe nëse nuk ishin shkruar, ne do të duhet t’i realizojmë ato, ashtu si nëse doni të forconi pozicionin tuaj eksportues, duhet të përmirësoni konkurrueshmërinë tuaj dhe të jeni konkurrues në raport me kompanitë evropiane”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja vuri në dukje se në vend po përballemi me probleme me produktivitetin dhe automatizimin dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kjo e ashtuquajtura kredi hungareze, e dhënë përmes Bankës së Zhvillimit, me qëllim që kompanitë të kenë, sa më shumë që të jetë e mundur, qasje në burime të lira të financimit për automatizimin, për të përmirësuar produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e tyre dhe për të rritur eksportin.
Lidhur me kërkesat e shpeshtuara për të rritur alokimet dhe investimet në mbrojtje dhe njoftimet për një qëllim të ri të mundshëm nga NATO për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në nivelin e PBB-së nga të paktën dy, në tre, 3,5, e madje edhe pesë për qind, Dimitrieska-Koçoska theksoi se anëtarësimi ynë në Aleancë gjithashtu do të thotë se ne jemi të obliguar për disa gjëra që duhet t’i përmbushim dhe nuk mund të kthehemi prapa.
“Shtrohet vetëm pyetja se sa do t’ia dalim që për një periudhë të shkurtër kohore të arrijmë në përmbushjen e këtyre detyrimeve. Kjo është arsyeja pse Qeveria është e përqendruar në luftimin e ekonomisë gri, korrupsionit dhe krimit, në mënyrë që të mund të mbushet më shumë buxheti dhe të mund të ndajë më shumë nga ato mjete për mbrojtje, e duke mos dëmtuar me këtë rast atë që do të thotë funksionim normal – të ketë mjete për shëndetësinë, për pagat, për pensionet”, shtoi Dimitrieska-Koçoska.
Ajo përkujtoi se vendi është një nga disa anëtarët e NATO-s që tani po përmbushin detyrimin për të ndarë mjete në shumën prej dy për qind të PBB-së për nevojat e mbrojtjes.
“Ne jemi duke kryer detyrimin tonë këtu, ashtu siç kemi rënë dakord. Në periudhën që vijon, do të jetë shumë e vështirë, këtu nuk ka asnjë fjalë, është përqindje e madhe dhe peshë shtesë e Buxhetit, por ne do të përpiqemi në një periudhë të caktuar kohore, sepse brenda natës kjo nuk është e mundur, të arrijmë ato përqindje që do të kërkohen”, konkludoi Dimitrieska-Koçoska në deklaratë për MIA-n.
Dialogu ekonomik dhe financiar është takim vjetor i BE-së dhe partnerëve – vendet e Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjia, Moldavia, Turqia dhe Ukraina, kushtuar çështjeve nga sfera e politikës ekonomike. Përveç ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve partnere, në Dialogun ekonomik dhe financiar marrin
pjesë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës Evropiane të Investimeve.