Dimitrieska-Koçoska: Shifrat flasin për politikat tona, po ecim fuqishëm drejt arritjes së konsolidimit fiskal dhe rritjes prej 3.7%

30 maj 2025, Shkup – Borxhi publik në tremujorin e parë ishte në nivelin më të ulët në pesë vitet e fundit dhe shënoi rënie për 36 milionë euro krahasuar me gjendjen në fund të vitit 2024. Ne vijojmë të jemi të përkushtuar ndaj konsolidimit fiskal dhe jemi të bindur fuqishëm se do ta arrijmë rritjen e projektuar prej 3.7%. Kjo u deklarua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçosoka, në përgjigjen e pyetjeve të deputetëve në seancën e djeshme parlamentare.
“Të dhënat tregojnë një nivel rekord të ulët të borxhit publik në tremujorin e parë, kur u regjistrua rënie prej rreth 36 milionë eurosh ose 4.7 p.p. e PBB-së, krahasuar me të dhënat e 31 dhjetorit të vitit 2024, respektivisht prej 62.4%. Ky është një fakt që punojmë në mënyrë efikase me paratë e qytetarëve dhe ajo që është e rëndësishme dhe të mos harrojmë, se në këtë tremujor kthyem 500 milionë euro, respektivisht e shlyem euroobligacionin e emetuar nga Qeveria paraprake. Shifrat flasin për politikat tona dhe janë një sinjal se po ndërmarrim hapa të fuqishme drejt përmbushjes së premtimit tonë për të pasur konsolidim fiskal”, potencoi Dimmitrieska-Koçoska.
Ajo potencoi se Qeveria vijon në projeksionin për rritje të PBB-së prej 3.7% dhe ka bërë të ditur disa indikatorë që mbështesin realizimin e projeksionit.
“Rritja e PBB-së në tremujorin e katërt ishte 3.2%. Investimet bruto në tremujorin e katërt shënuan rritje prej 22.1%. Niveli rekord i investimeve të huaja direkte ishte prej 1.255 miliardë eurosh në vitin 2024. Rritje kishte në prodhimin industrial, që ka qenë vazhdimisht në rënie. Gjithashtu, kishte ulje të shkallës së papunësisë dhe rritje të numrit të të punësuarve, veçanërisht në sektorin privat. Duke pasur parasysh të gjithë këta indikatorë, pritshmëritë janë se në periudhën në vijim do të kemi të dhëna më të mira, ku shkalla e rritjes prej 3.7% është reale dhe e arritshme”, potencoi ministrja.
Ajo ritheksoi rritjen e realizuar të pensioneve për 338 mijë pensionistë me nga 5.000 denarë, rritjen e pagave për 87.000 të punësuar në administratë, si dhe për 23.000 persona të punësuar në polici, arsim dhe shëndetësi.
Ministrja foli edhe për realizimin e investimeve kapitale, ku theksoi se deri më 30 prill janë realizuar 9.5 miliardë denarë dhe nëse zbatohet metodologjia e njëjtë për paraqitjen e shpenzimeve kapitale në buxhet si vitin paraprak, do të shënohet rritje prej 60% në realizimin e shpenzimeve kapitale.
“Pagesa është bërë në bazë të realizimit të punëve në terren”, theksoi ministrja, duke shpjeguar se nga ky vit, pagesat e garancive dhe transfertave janë ndarë nga shpenzimet kapitale.
Në periudhën e ardhshme pritet realizim më i madh i shpenzimeve kapitale, duke përfshirë investimet kapitale që realizohen përmes komunave, për të cilat janë siguruar mjete nga buxheti.
Ajo njoftoi se deri më tani janë paguar 450 milionë denarë për realizimin e punëve në ato projekte komunale, në kuadër të thirrjes së parë publike.
“Në terren ka realizim të këtyre projekteve dhe në bazë të informacioneve nga ministritë resoriale, implementimi po ecën me ritme shumë të mira. Presim ritëm më të shpejtë të realizimit të punëve në periudhën e ardhshme”, tha ministrja duke theksuar se në thirrjen e dytë publike janë dorëzuar 887 projekte nga 80 komunat e vendit dhe se vlera e këtyre projekteve është 15 miliardë denarë, përkatësisht, aq sa janë edhe mjetet e planifikuara në Buxhetin e vitit 2025.