Pavarësisht procesit gjyqësor, opinioni kërkon përgjegjësi më të thellë për tragjedinë në Spitalin Modular të Tetovës që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, në të cilën si pasojë e zjarrit humbën jetën 14 pacientë dhe familjarë të tyre. Familjet e viktimave, në vazhdimësi kanë shprehur revoltë dhe mospajtim me hetimin nga Prokuroria, ndërsa të njëjtën e kanë ritheksuar edhe muajin e kaluar nëpërmjet një letre zyrtare, ku i kërkuan kryeprokurorit Lupço Kocevski, të rinovojë hetimin dhe krahas përgjegjësve aktualë, të vihen para drejtësisë edhe persona tjerë kompetentë.
“Është koha që dikush të merr përgjegjësi që drejtësia të del nga sirtari. Si familjarë të viktimave kërkojmë nga ju të rihapet hetimi për të gjithë fajtorët e vërtetë të zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë”, deklaroi Mumin Ismaili, familjar.
Zgjerimi i hetimit kërkohet sipas modelit të Koçanit edhe pse, rastet dhe rrethanat janë të ndryshme. Për djegien e diskotekës Puls, Prokuroria ka vënë në hetim mbi 60 persona, ndërsa intervali kohor përfshin një periudhë 10-vjeçare. Mes të dyshuarve ka ministra, krerë komunash, drejtorë të institucioneve të ndryshme, Inspektorateve, zyrtarë dhe eprorë policorë e të tjerë.
Nga ana tjetër, për tragjedinë e Modularit deri tani, para drejtësisë janë vënë vetëm dy persona, respektivisht dy drejtorët e Spitalit të Tetovës që kanë qenë në detyrë, Florin Besimi dhe Artan Etemi. Të akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme, por edhe për mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë. Sipas aktakuzës, ata mbahen përgjegjës pasi nuk kanë ndërmarrë veprime për vendosjen e pajisjeve dhe instalimeve përkatëse për mbrojtje kundër zjarrit. Në hetim u përfshi edhe mjeku kujdestar Buban Vuçevski, megjithatë ai u shpall i pafajshëm. Pyetjet që s’kanë marrë përgjigje, nuk kanë ende emra përgjegjës për porositjen, përgatitjen dhe vendosjen e Spitalit Modularit, raportin e specifikimeve teknike të objektit. Më tej, përgjegjësit e pranim-dorëzimit, vënies në funksion, por edhe institucioneve apo zyrtarëve përkatës për kontroll të instilacionit të rrymës, por edhe mbrojtjes kundër zjarrit. Sidomos, në rrethana kur është konstatuar se Modulari është ndërtuar me material lehtë të djegshëm, ndërsa nuk ka pasur sistem kundër zjarrit. Në shtator të vitit 2021, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi se zjarri në Modular ka iniciuar lëndë në drejtim të kontrollit të zbatimit dhe realizimit të furnizimit publik për ndërtimin e të gjitha 19 spitaleve modulare në shtet, përfshirë edhe atë të Tetovës. Sipas paralajmërimit, i gjithë dokumentacioni për ndërtimin e këtyre spitaleve do të analizohej në drejtim të konstatimit nëse furnizimi është në pajtim me dokumentacionin teknik të objekteve. Megjithatë, kanë kaluar 3 vjet e gjysmë prej atëherë, ndërsa ende nuk ka vendim prokurorial.
“Në lëndë vepron Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në procedurë parahetimore dhe po ndërmerren veprime të kontrolleve. Për momentin, pas pranimit të shkresës-ankesës në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, lënda është në shqyrtim në Prokurorinë republikane dhe nuk është miratuar vendim prokurorial”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Versioni zyrtar për zjarrin në Spitalin Modular është kontakt i shkurtër i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti, pas çka është nxehur dhe pastaj djegur kablloja vazhduese, të cilën kanë qenë të lidhura defibrilatori, një karikues telefoni celular dhe një pajisje tjetër. Zjarri, menjëherë ka kapluar hapësirën ndërsa për disa minuta, objekti është shkrumbuar.