“Punojmë me zemër, jetojmë me borxhe” – me këtë thirrje e nisën sot protestën punonjësit shëndetësorë të Spitalit të Tetovës.
Më shumë se 140 të punësuar kanë hyrë në muajin e katërt pa marrë rrogë, madje as kontributet nuk u janë paguar. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do t’i vijë fundi këtij ankthi.
Shumë prej tyre flasin me zë të ulët, nga frika se mos ndëshkohen, por zemrat e tyre janë të zbrazëta nga dëshpërimi.
Nga drejtoria nuk pati premtime për zgjidhje të shpejtë. Ata thanë se janë në procedurë dhe në komunikim me Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje, por pa dhënë ndonjë afat të saktë.
Drejtori Agin Berisha deklaroi se kanë kontakte me Ministrinë e Financave, por ende nuk ka ndonjë datë të caktuar. Ai shpreson që nga muaji i ardhshëm situata të zgjidhet.
Ndërkohë, pas shumë premtimeve nga Ministria, qeveria dhe drejtoria, punonjësit frikësohen se do të mbeten edhe për shumë vite pa zgjidhje të qëndrueshme për vendet e tyre të punës.