Vendi ynë i shikon emigrantët jo vetëm si fuqi punëtore, por si bartës të njohurive, përvojës, shkëmbimit kulturor dhe potencialit ekonomik. Përfshirja e rregulluar e punëtorëve të huaj kontribuon në rritjen e produktivitetit, zhvillimin e industrive me intensitet të lartë të punës dhe stabilizimin e punësisë, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi në konferencën rajonale për migrimin e punës të mbajtur në Budvë, në organizimin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) dhe institucionet partnere nga rajoni.

Ministri Dutrmishi mbajti fjalim në panel diskutimin ku me kolegët e tij nga rajoni u diskutua perspektivat rajonale mbi migracionin e punës në Ballkanin Perëndimor .

“Që migrimi i punës të jetë i suksesshëm, ai duhet të shoqërohet me politika sociale dhe integruese. Kjo nënkupton mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, luftimin e diskriminimit, respektimin e dallimeve kulturore dhe sigurimin e qasjes së barabartë në informacione dhe institucione”, tha ministri dhe shtoi se në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me Ligjin për Punësimin dhe Punën e të Huajve, sigurohet mekanizëm i qëndrueshëm dhe i qartë juridik, përmes të cilit punëtorët e huaj mund të përfshihen në ekonominë e shtetit tonë, gjithmonë në përputhje me nevojat dhe standardet vendore. Ligji parashikon përcaktimin e një kuote vjetore për lejet e punës, e cila nuk duhet të kalojë 5% të popullsisë së përgjithshme të punësuar në vend.

“Për vitin 2025, Qeveria e Republikës së Veriut përcaktoi kuotë prej 10.000 lejeve për punë për të huajt. Kjo shifër është rezultat i një analize të kujdesshme të gjendjes në tregun e punës dhe nevojave të shprehura të punës në sektorë të ndryshëm, ” tha Durmishi dhe theksoi se sistemi është i saktë, transparent dhe respekton fuqinë punëtore vendore, duke i hapur rrugë plotësimit të profileve deficitare me punëtorë të huaj të kualifikuar.

Sipas ministrit, angazhimi i Qeverisë është të krijojë një mjedis ku të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në vendin tonë do të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të mbështetur.

“Migrimi i punës paraqet mundësi për rritje ekonomike të secilit vend – por vetëm nëse menaxhohet me mençuri, me respektimin e të drejtave të njeriut, me vizion për të ardhmen dhe me gatishmëri për bashkëpunim. Qëllimi ynë është i qartë – të ndërtojmë një shoqëri në të cilën migrimi i punës do të nxisë rritjen, do të lidhë njerëzit dhe do të krijojë një të ardhme të përbashkët të stabilitetit, zhvillimit dhe dinjitetit. Vendi ynë mbetet i hapur për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Ne besojmë se duke planifikuar dhe harmonizuar së bashku rregulloret, ne mund të mundësojmë qarkullimin e shkathtësive, mbështetje të inovacioneve dhe ulje të ekonomisë gri”, konkludoi ministri Durmishi.