Një ngjarje tronditëse është vërejtur nga një qytetar paraditen e sotme në lagjen Matiqan të Prishtinës, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana çnjerëzore.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 19 maj 2025, rreth orës 10:30, në rrugën “Butofci”, pranë deponisë së mbeturinave, një qytetar ka vërejtur një qese të zezë brenda së cilës dyshohej se ndodhej një foshnje e vdekur.
Sipas burimeve nga Prokuroria, në momentin që qytetari është afruar, ka zbuluar se në të vërtetë brenda qeses ndodhej një foshnje e porsalindur, pa shenja jete, e braktisur në mënyrë të tmerrshme.
Menjëherë është kërkuar ndihma mjekësore dhe njësia emergjente është thirrur për të dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet përkatëse janë parë në vendin e ngjarjes, duke nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit.
Shkaku se pse është sjellë foshnja në atë lokacion dhe identiteti i personit që e ka braktisur mbeten ende të paqarta.
Sinjali disponon edhe foton e qeses dhe foshnjës, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk do ta publikojë./Sinjali/