“Marshimi provokues i flamurit” i mbajtur nga grupet fanatike të ekstremit të djathtë në Kudsin Lindor për të festuar pushtimin nga Izraeli në vitin 1967 pati një fillim të “egër”, transmeton Anadolu.

Izraelitët, të cilët kanë uzurpuar tokat palestineze, po e organizojnë marshimin në fjalë për shkak të pushtimit të Kudsit Lindor nga Izraeli në vitin 1967.

Mijëra izraelitë fanatikë arritën në zonën simbolike të Portës së Damaskut në Qytetin e Vjetër, duke valëvitur flamuj izraelitë dhe banderola. Policia izraelite ngriti barrikada të shumta në qytet dhe i pengoi palestinezët të hynin në zonë.

Grupet fanatike izraelite sulmuan dyqanet palestineze në zonë, duke i detyruar shitësit të mbyllnin bizneset e tyre.

Grupe njerëzish u mblodhën përpara Shtëpisë së Pritjes Austriake në Qytetin e Vjetër dhe kërcyen ndërsa brohorisnin slogane provokuese si “Vdekje arabëve”.

Izraelitët e ekstremit të djathtë, të cilët po përpiqeshin të provokonin palestinezët që u përballën me ta në hyrje të Portës së Damaskut, shtynë një palestinez të moshuar, duke e rrëzuar përtokë.

Anëtarët e mediave që punojnë në rajon janë shënjestruar nga grupet e ekstremit të djathtë. Grupet fanatike u përpoqën t’i pengonin anëtarët e shtypit të filmonin duke i sulmuar ata. Policia izraelite herë pas here ka përdorur forcë si kundër anëtarëve të shtypit ashtu edhe kundër grupeve izraelite të ekstremit të djathtë.

Nga ana tjetër, civilët palestinezë që jetojnë në Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar mund të largohen nga zona vetëm nën mbikëqyrjen e policisë izraelite.

Policia izraelite ndërhyri me gaz lotsjellës në disa pika kundër grupeve të ekstremit të djathtë në Qytetin e Vjetër.

Po kështu, aktivistët izraelitë të të drejtave të njeriut që erdhën në Qytetin e Vjetër për të mbështetur palestinezët herë pas here u përleshën me grupe të ekstremit të djathtë. Policia izraelite ndërhyri dhe u përpoq të ndante palët.

Grupet fanatike izraelite mbajnë “marshime flamujsh” provokuese çdo vit sipas kalendarit hebraik për të përkujtuar pushtimin e Kudsit Lindor nga Izraeli në vitin 1967.

Dhjetëra mijëra izraelitë të ekstremit të djathtë po marshojnë nëpër Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor, ku jetojnë kryesisht palestinezët.

Policia izraelite i mbylli zonat ku jetojnë palestinezët për këmbësorët dhe trafikun e automjeteve gjatë kohëzgjatjes së marshimit. Gjatë marshimit ndodhin incidente ku mijëra kolonë fanatikë hebrenj marshojnë me flamuj izraelitë dhe këndojnë himne raciste, duke sulmuar palestinezët, dyqanet, shtëpitë dhe automjetet e tyre.