Flora dhe fauna në Malin Sharr në rrezik – nevojiten veprime të koordinuara institucionale dhe qytetare

Më 27 maj 2025, në ambientet e Institucionit Nacional “Parku Kombëtar Mali Sharr”, u organizua tribuna përmbyllëse me temë “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe faunës në Malin Sharr – imperativ shoqëror”, në kuadër të projektit që realizohet nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” – Tetovë. Kjo tribunë përbën një ndër aktivitetet përmbyllëse të një serie veprimtarish të zhvilluara në rajonin e Pollogut, me fokus ndërgjegjësimin qytetar dhe institucional për ruajtjen e pasurive natyrore të Malit Sharr.
Tribuna kishte për qëllim trajtimin e problematikave të ndërlidhura me shkatërrimin e biodiversitetit, prerjet ilegale të pyjeve, si dhe mundësitë për zhvillim të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. Në hapje të tribunës, Selam Sulejmani, kryetar i Shoqatës “Tradita”, prezantoi ecurinë e projektit dhe aktivitetet që janë zhvilluar në komunat: Bogovinë – Tetovë – Tearcë. Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të organizatave të shoqërisë civile në çështjet e mjedisit dhe falënderoi bashkëpunëtorët dhe ekspertët për kontributin profesional në sensibilizimin e publikut. Po ashtu ai vuri në dukje se projekti ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kolektive mbi rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit në Malin Sharr.
Drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, Emir Huseini, theksoi përkushtimin e këtij institucioni për të mbështetur nisma të tilla që promovojnë vlerat natyrore të parkut dhe kontributin e sektorit civil në mbrojtjen e mjedisit. Në tribunë morën pjesë ekspertë dhe përfaqësues nga institucione të ndryshme, si: Dr. Agron Salihi – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup; Prof. Arben Halili dhe Prof. Nasuf Abdii – Universiteti i Tetovës, Berat Azizi – përfaqësues i Komunës së Tetovës, dhe Nesim Veliu, ambientalist nga shoqëria civile. Panelistët dhe pjesëmarrësit tjerë apeluan për vazhdimin e organizimit të tribunave të ngjashme dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shkencore, organizatave joqeveritare dhe autoriteteve lokale për të krijuar mekanizma efektivë të mbrojtjes së biodiversitetit. Gjithashtu u theksua nevoja për edukim mjedisor në nivelet e hershme të arsimit dhe për hartimin e strategjive afatgjata për zhvillimin e turizmit në Malin Sharr.