Shoqata për mbrojtjen e kafshëve, Anima Mundi, sot akuzoi për një tjetër rast të dhunshëm ndaj kafshëve, përkatësisht për torturimin mizor të një lejleku në Gjevgjeli. Sipas informatave, lejleku është torturuar nga një grup fëmijësh. Dëshmitarët okularë, të cilët thonë se ekzistojnë edhe pamje nga kamerat e sigurisë, konfirmojnë se bëhet fjalë për një akt të vetëdijshëm dhe mizor dhune ndaj një kafshe të egër dhe të brishtë, që ka përfunduar me lëndime serioze.

– Ky rast nuk guxon të kalojë pa u vërejtur dhe pa u ndëshkuar. Dhuna ndaj kafshëve duhet të njihet dhe trajtohet qartë si një psikopatologji dhe devijim serioz shoqëror. Fëmijët që kanë kryer një akt të tillë janë viktima të neglizhencës dhe mosinteresimit të shoqërisë, por edhe rrezik i mundshëm për veten dhe të tjerët, nëse nuk përfshihen menjëherë në ndërhyrje psikologjike dhe edukative. “Anima Mundi” prej vitesh thekson se humanizmi, dhembshuria dhe kujdesi ndaj kafshëve dhe natyrës duhet të kultivohen që në moshë të hershme – në institucionet arsimore, në media, por më së shumti në shtëpi. Vetëm përmes edukimit, promovimit sistematik të vlerave etike dhe prindërimit të përgjegjshëm, mund të ndërtojmë një shoqëri ku aktet e tilla të mizorisë do të bëhen të paimagjinueshme, thonë nga shoqata dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente.

Sipas postimeve në rrjetet sociale, të miturit me biçikleta qëllimisht kanë lënduar lejlekun.

Në vend ekzistojnë ligje për mbrojtjen e kafshëve, por ato nuk zbatohen. Kafshët endacake janë çdo ditë të ekspozuara ndaj trajtimeve çnjerëzore. Rrahja, vrasja, helmimi dhe maltretimi i kafshëve të rrugës janë një realitet i përditshëm. Aktivistët akuzojnë, por institucionet kompetente nuk ndërmarrin asgjë.