Shaqir Fetai po përpiqet të hyjë në një festë nga dera e pasme, sepse nga dera kryesore nuk
e fton më askush. Sepse të përfunduarit nuk ftohen – as edhe formalisht.
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Ditët e fundit, në një lëvizje që ngjan më shumë me një akt të dëshpëruar sesa me një gjest
simbolik, Shaqir Fetai është shfaqur në kabinetin e uzurpuar të BFI-së duke pritur nxënës të
Shkollës së Mesme Private “Medresesë Isa Beu”. Duket se këta të rinj, të cilët në fakt janë
viktima të një prej mashtrimeve më të rënda institucionale ndaj arsimit fetar, po "ftojnë
zyrtarisht" kreun e BFI-së për të marrë pjesë në mbrëmjen e maturës së tyre. Por çfarë fshihet pas
kësaj skene të rregulluar keq? Një përpjekje e dëshpëruar për t’u shitur si “i falur”? Apo një tjetër
manovër propagandistike që synon ta relativizojë dështimin personal dhe institucional?
E vërteta është më e rëndë. Shaqir Fetai nuk ka asnjë lidhje me këtë brez të ri nxënësish,
përveçse si figura që i ka zhgënjyer, i ka mashtruar dhe i ka braktisur në momentin më të
rëndësishëm të rrugëtimit të tyre arsimor. Prej vitesh, ai ka premtuar akreditime që nuk kanë
ardhur kurrë. Ka dhënë garanci boshe. Ka përdorur emrin e Medresesë për të forcuar pushtetin e
vet personal, financiar e klanor, pa e çuar përpara asnjë interes të nxënësve. Dhe tani, kur
mospërfillja ndaj tij nga drejtoria dhe stafi arsimor është bërë e qartë dhe publike, përpiqet ta
anashkalojë atë duke instrumentalizuar vetë nxënësit.
Nuk është hera e parë që shohim përpjekje të tilla për të ndërruar narrativën. Një ftesë, qoftë
edhe e rrejshme, mund të përdoret si provë në propagandën e tij për të thënë: “Ja, më duan, më
ftojnë, më respektojnë.” Por kush i bën ftesat zyrtare në një institucion arsimor? A janë nxënësit,
që ende nuk kanë marrë diplomat, ata që kanë këtë të drejtë? Sigurisht që jo. Është drejtoria e
shkollës, është trupi arsimor, janë ata që kanë autoritet institucional – dhe ata nuk e kanë ftuar.
Madje, kanë zgjedhur të heshtin, një heshtje që flet më shumë se çdo deklaratë.
Në këtë histori, viktima nuk janë vetëm nxënësit. Viktima është vetë ideja e një medreseje që
duhet të jetë shtëpi e dijes, jo pronë e një administrate që bën marketing të turpshëm me ngjarje
të shenjta për jetën e të rinjve. Shaqir Fetai po përpiqet të hyjë në një festë nga dera e pasme,
sepse nga dera kryesore nuk e fton më askush. Sepse të përfunduarit nuk ftohen – as edhe
formalisht.
Dhe kjo është arsyeja pse kjo histori nuk është vetëm një kuriozitet sezonal. Është një shenjë
paralajmëruese për mënyrën si dështimi kërkon të maskohet si sukses, si mashtrimi tenton të
vishet me petkun e pajtimit, si arroganca kërkon të paraqitet si përulësi. Por është vonë për të
gjitha këto. Ai që ka dështuar me një brez të tërë nxënësish, nuk mund të kërkojë shpëtim duke
përdorur brezin tjetër.

Medresantët meritojnë një natë mbrëmjeje që të kujtohet për arritjet e tyre, jo për skemat e atyre
që kërkojnë të shpëtojnë nga harresa.
Shaqir Fetai është jashtë loje – dhe këtë e di mirë drejtoria e Medresesë, stafi arsimor, prindërit
dhe, në heshtje, edhe vetë nxënësit. Le të mos e lejojmë që, përmes këtij manipulimi të ulët, të
përpiqet të fusë edhe një herë baltë mbi një natë që duhej t’u përkiste vetëm atyre që kanë
mësuar, sakrifikuar dhe ëndërruar – jo atyre që kanë mashtruar.