Si rezultat i angazhimit të palëkundur dhe qasjes proaktive të VLEN në qeverisje, për herë të parë çështjet mjedisore që prekin drejtpërdrejt zonat shqiptare hyjnë në agjendën e partneriteteve ndërkombëtare strategjike. Në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, ka siguruar mbështetje për eliminimin e deponive me mbetje të rrezikshme, duke vendosur në fokus zonat shqiptare që për dekada kanë qenë të lëna pas dore.

Pastrimi i ndotjes së rëndë industriale në vendbanimet si Vaksinca, Llojani dhe Jegunoci, të cilat për vite të tëra janë përballur me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve dhe mjedisin, është tashmë pjesë e agjendës së investimeve të përbashkëta me Mbretërinë e Bashkuar. Kjo arritje konkrete është dëshmi e përkushtimit të VLEN për barazi zhvillimore dhe përfshirje të plotë në zonat shqiptare në projektet strategjike të shtetit.

VLEN e sheh këtë si një fitore të madhe për qytetarët shqiptarë, veçanërisht në rajonet që për vite me radhë janë injoruar nga institucionet shtetërore. Përfshirja e këtyre zonave në projektet ndërkombëtare të pastrimit dhe rehabilitimit mjedisor është hap i rëndësishëm drejt garantimit të një jete më të shëndetshme dhe më të denjë për të gjithë.

VLEN do të vazhdojë me të njëjtin intensitet të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë në çdo nivel dhe të sjellë politika që reflektojnë zhvillim të barabartë, drejtësi mjedisore dhe dinjitet për të gjithë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume