Kryetari i Parlamentit , Afrim Gashi, në emisionin 24 Analiza në TV 24, mohoi që Arben Taravari të jetë përjashtuar me qëllim nga Qeveria, duke theksuar se ky i fundit vetë ka zgjedhur të bashkëpunojë me BDI-

“Bashkëpunimin me BDI-në e ka vendosur zoti Taravari. Nuk kemi akuzuar askënd për asgjë , këto janë të dhëna që i dinë të gjithë. Vendimet më pas janë marrë në bashkëpunim mes liderëve të VLEN-it dhe kryeministrit, të cilët janë ulur dhe kanë rënë dakord për rrugëtimin e mëtejshëm të koalicionit. Besimi është një nga parimet themelore të këtij bashkëpunimi dhe deri më tani, mund të dëshmoj se marrëdhëniet midis partnerëve të koalicionit kanë qenë të shkëlqyera dhe në harmoni të plotë”.

Ai tha se nuk është takuar tani me Taravarin dhe nuk kanë biseduar për vendimin e tij për të dalë nga Qeveria. Sipas tij, takimet e liderëve në VLEN kanë qenë të lodhshme dhe nuk ka pasur hapësirë për debate shtesë.

“Nuk kam asnjë problem me grupet parlamentare, komunikojmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që çdo deputet të marrë të drejtën e vet dhe t’i realizojë të drejtat e veta. Nuk jam takuar me Taravarin prej kohësh, kur ka ardhur në Kuvend jemi përshëndetur, por për këtë temë nuk kam folur sepse liderët e VLEN-it shpesh janë takuar dhe kanë biseduar për këtë temë dhe ajo debat u ezaurua, dhe unë nuk ndjeva se mund të ndryshoja apo të shtoja diçka. Kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me Taravarin. Mendoja që kjo çështje duhej të zhvillohej në nivelin e liderëve dhe nuk ndjeva që unë duhej të them se çfarë të bënte. Nëse donte ta dëgjonte mendimin tim, mund të pyeste, por nuk mendoj se pas gjithë atyre bisedave unë duhej të ndërhyja dhe të paraqitesha si më i madhi nga të gjithë , nuk dua ta marr atë rol. Jam këtu për secilin,” tha Gashi.

Ai shtoi gjithashtu se nuk ka informacion se kush do të jetë ministri i ri i Shëndetësisë.

“Siç e dini, VLEN po ecën fuqishëm dhe po përparon drejt homogjenizimit dhe po bëhet një subjekt i vetëm politik. Ne kemi kryesi, organe qendrore dhe së shpejti do të kemi edhe kryetar. Nuk kam marrë pjesë në kryesinë e VLEN-it. Do ta di kush do të jetë ministri i Shëndetësisë kur kryeministri të më dorëzojë propozimin. Nuk i kam pyetur,” shtoi Gashi.