Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u takua me Ambasadoren e Konfederatës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Veronik Ulman, në të cilën, siç njofton zyra e tij, u theksua se ne vazhdimisht po promovojmë bashkëpunimin dypalësh me Zvicrën, duke ndërtuar marrëdhënie miqësore dypalëshe dhe duke mbështetur njëri-tjetrin në nivel shumëpalësh.

Gashi, thuhet në kumtesë, iu referua bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme të Ambasadës Zvicerane dhe Kuvendit përmes Programit të Mbështetjes së Kuvendit, në kuadër të të cilit u mbajt Konferenca e sotme mbi Transformimin Digjital të Kuvendit, si dhe projekteve të planifikuara në Planin Strategjik të Kuvendit dhe të zbatuara në kuadër të PSP-së. Në mënyrë plotësuese, Kryetari e njoftoi ambasadoren Ulman mbi aktivitetet aktuale të Kuvendit.

Ulman nënvizoi se Konferenca “Transformimi i së ardhmes: Strategjia digjitale për parlament modern” konfirmon se Kuvendi është gati të përballet me sfidat e epokës së përparuar digjitale. Theksoi se është arritur shumë gjatë viteve, por se është e rëndësishme të shënohen momentet kryesore me ngjarje të përshtatshme si kjo e sotmja. Ajo përsëriti mbështetjen e vazhdueshme të Konfederatës Zvicerane për Republikën e Maqedonisë së Veriut në nivelin shumëpalësh.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se marrëdhëniet e shkëlqyera janë bazë e fortë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha nivelet, me theks të veçantë në diplomacinë parlamentare.