Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, mbajti sot fjalim në Forumin Ekonomik Parlamentar të Mesdheut, që po mbahet në Marrakesh, Mbretëria e Marokut.
Forumi është platformë e rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit midis vendeve mesdhetare në fusha të tilla si ekonomia, demokracia dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Në fjalën e tij, Kryetari Gashi theksoi se Maqedonia e Veriut, ndonëse e vogël në territor, ka ambicie të mëdha dhe vizion të qartë për të ardhmen.
“Ne e kuptojmë fuqinë e lidhshmërisë – ekonomike, politike dhe njerëzore”, tha ai, duke theksuar angazhimin e vendit ndaj bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit të përbashkët.
Duke folur për sfidat me të cilat përballet Rajoni i Mesdheut – ndryshimet klimatike, migrimet, pabarazitë ekonomike – Kryetari Gashi bëri thirrje për zgjidhje të përbashkëta ndërkufitare dhe theksoi se forume të tilla janë mundësi për veprime konkrete, jo vetëm për diskutim.
“Duhet të krijojmë mekanizma për investime gjithëpërfshirëse, t’i inkurajojmë brezat e rinj dhe të përparojmë ekonominë e gjelbër. Maqedonia e Veriut është e gatshme të japë kontribut aktiv”, tha Gashi.
Ai gjithashtu theksoi se Kuvendi po punon në mënyrë aktive për të harmonizuar legjislacionin me standardet evropiane, me qëllim të krijimit të mjedisit ekonomik, transparent, të drejtë dhe konkurrues.
Në fund të fjalës së tij, Kryetari Gashi bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit midis parlamenteve, bizneseve dhe qytetarëve të vendeve të Mesdheut, me qëllim të ndërtimit të së ardhmes së përbashkët të bazuar në paqe, prosperitet dhe solidaritet.