Tre persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në një sulm përpara një ndërtese banimi në Halle, në Saksoni-Anhalt.

Sipas policisë, një burrë 29-vjeçar u plagos rëndë, ndërsa një tjetër 47-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare pësuan lëndime të lehta. Lidhur me të plagosurit, policia flet për prerje dhe plagë me thikë.

Sipas deklaratave të tyre, policia u thirr në orët e para të mbrëmjes për një grindje mes disa personave përpara hyrjes së bllokut të apartamenteve.

Atje gjetën të plagosurit, të cilët më pas u dërguan në spital, raporton Du Bist Halle, transmeton Klankosova.tv.

Pas raportimeve të dëshmitarëve, një 46-vjeçar nga Kosova u arrestua si i dyshuar menjëherë më pas.

Një zëdhënës i policisë tha se hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar se si kanë ndodhur lëndimet dhe çfarë i ka shkaktuar ato, përcjell albinfo.ch. Situata është nën kontroll. Hetimet për motivin dhe armën e vrasjes janë duke vazhduar.

Gazeta “Bild” raportoi, duke cituar një dëshmitar, se debati kishte shpërthyer nga shkaku i zhurmës së madhe të fëmijëve.

Departamenti i hetimit penal siguroi prova në vendngjarje atë mbrëmje dhe intervistoi dëshmitarët.