Një delinkuent që vuante nga një defekt në zemër është dëbuar në Kosovë: Strasburgu fajëson Zvicrën dhe i jep atij 19,000 euro si dëmshpërblim

Ai i kishte rrahur aq keq dy persona sa që ata qenë detyruar të shtroheshin në spital. Për këtë arsye kosovari tani 35 vjeçar kishte përfunduar në burg dhe për pasojë kishte humbur lejen e qëndrimit në vitin 2009. Por, ai është deportuar nga Zvicra vetëm dy vjet më parë, transmeton albinfo.ch. Tani Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka dënuar Zvicrën.

Në nëntor të vitit 1989, ishte bërë ribashkimi familjar. Nëna dhe djali i saj atëbotë pesëmuajsh qenë shpërngulur nga Kosova tek i ati / bashkëshorti/në kantonin e Ticinos. Më vonë, si i rritur, djali kishte devijuar nga rruga e drejtë. Ai u dënua për një vepër penale dhe humbi lejen e qëndrimit. Pas shumë apelesh, ai u dëbua në vendin e tij të lindjes në korrik 2023, 14 vjet pas dënimit.

Si reagim, ai është ankuar kundër kësaj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Strassburg.

Tani, pikat më të rëndësishme lidhur me rastin, sipas radhës: Më 19 tetor 2008, ai kishte rrahur dy persona aq keq saqë u desh të shtroheshin në spital. Ata pësuan dëmtime traumatike në tru dhe lëndime të tjera, shkruan Aargauier Zeitung. Në një rast tjetër, ai ka kërcënuar me vdekje një të mitur dhe e kishte detyruar atë të ndërpriste marrëdhënien e tij romantike me të dashurën e tij.

Më 25 qershor 2009, kosovari u dënua me 26 muaj burg për, ndër të tjera, për sulme të shumëfishta, shtrëngim të përsëritur, dëmtime të thjeshta trupore dhe bashkëpunim në vjedhje.

Ai duhej të vuante një vit burg efektiv. Pas kësaj, Zyra e Migracionit në Ticino ia kishte revokouar lejen e qëndrimit në shtator të vitit 2009. Masat ndëshkuese fillimisht nuk kishiun dhënë efektin e pritur. Kështu, më 26 qershor 2010, ai kishte ngarë veturën 104 km/orë nëpër një zonë ku lejohej shpejtësia 50 km/orë .

Si i ka rezistuar ai dëbimit?

Ai vuante nga një defekt i zemrës, që nga lindja. Në vitin 2009, atij i ishte implantuar një valvul zemre dhe duhej të bënte kontroll çdo gjashtë muaj. Kosovari kishte argumentuar se në vendin e tij të origjinës nuk ishte i garantuar kujdesi mjekësor përkatës. Asnjë klinikë e vetme atje nuk është në gjendje të kryejë ndërhyrje kirurgjikale emergjente, si për shembull në rastin e inflamacionit të valvulave të zemrës. Kështu, jeta e tij do të ishte në rrezik.

Për vite me radhë, dosja e tij debatohej dhe gjendja e tij të verifikohej vazhdimisht, midis Zyrës së Migracionit, qeverisë së Ticinos, Gjykatës Administrative të Ticinos dhe Gjykatës Supreme Federale. Pas 14 vitesh, Gjykata Supreme Federale më në fund arriti në përfundimin se autoritetet e migracionit të Ticinos kishin të drejtë që ia revokuan lejen e qëndrimit kosovarit.

Si e argumentuan autoritetet e Ticinos vendimin për dëbim?

Ata morën qëndrimin se ai mund të siguronte ilaçet e nevojshme në Kosovë dhe se kujdesi mjekësor atje, sipas tyre, ishte i garantuar. Përveç kësaj, ai po vizitonte rregullisht vendin e tij të lidnjes gjatë pushimeve, pavarësisht problemeve të tij të dyshuara shëndetësore. Ai gjithashtu ka një rrjet miqësor atje dhe flet gjuhën e vendit, transmeton albinfo.ch. Në Zvicër, ai nuk është i integruar mirë shoqërisht dhe është i varur ekonomikisht nga prindërit e tij.

Gjykata Federale më në fund kishte dhënë dritën jeshile për dëbimin e tij sepse, sipas saj, shëndeti i kosovarit nuk ishte në rrezik akut. Arsyeja: Probabiliteti që dikush me një histori si e tij të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale urgjente është midis 0.7 dhe 1 për qind.

Sipas Gjykatës Federale, burri është mirë fizikisht. Ndonëse duhet shumë kohë që pulsi i tij të rikuperohet pas një sforcimi fizik megjithatë, ai mund ta përballojë jetën e përditshme pa asnjë problem. Gjykata Federale kishte kritikuar programin e tij të ushtrimeve: Ai i kushtonte shumë rëndësi stërvitjes së forcës në vend të stërvitjes së qëndrueshmërisë, siç rekomandohej.

Çfarë ka vendosur konkretisht Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut?

Se Zvicra i ka revokuar padrejtësisht lejen e qëndrimit kosovarit. Gjyqtarët në Strasburg gjetën shkelje të së drejtës për respektimin e jetës familjare dhe asaj private. Personi në fjalë e ka kaluar gjithë jetën e tij në Zvicër; rrënjët e tij familjare dhe shoqërore janë këtu. Nuk ka prova për një rrjet social në Kosovë. Pas dënimeve të tij si i rritur, sjellja e tij ishte e patëmetë, përcjell albinfo.ch. Mungesa e integrimit të tij në botën e punës është për shkak të statusit të tij të emigracionit.

Gjykata e la të hapur çështjen nëse infrastruktura mjekësore në Kosovë ishte e mjaftueshme – sepse shkelja e nenit të familjes kishte përcaktuar tashmë se ai nuk duhej të ishte dëbuar. Kështu, Strasburgu i dha kosovarit 19,000 euro si dëmshpërblim dhe kompensim për shpenzimet gjyqësore.

Çfarë ndodh më pas?

Autoritetet zvicerane duhet ta rishqyrtojnë çështjen. Duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, rezultati është i qartë: Kosovari mund të kthehet në Zvicër dhe do t’i jepet përsëri leje qëndrimi e ligjshme.