Pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, dështimi për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit në seancën e parë ka krijuar një krizë institucionale që po thellohet çdo ditë. Ky ngërç politik është pasojë direkte e mungesës së vullnetit për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike dhe përbën një kërcënim serioz për funksionimin demokratik të shtetit.
Gjykata Kushtetuese nuk është kartë shpëtimi për krizën politike; mosveprimi i Kuvendit është përgjegjësi, jo justifikim. Neni 113.3 i Kushtetutës i jep Presidentes kompetencën e qartë dhe të kufizuar për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve normative të Qeverisë. Ky nen nuk mund të shfrytëzohet si mjet për të tejkaluar krizën politike që buron nga mosveprimi i deputetëve brenda Kuvendit. Moszgjedhja e Kryetarit të Kuvendit nuk është as akt qeveritar, as akt normativ, por një boshllëk politik dhe përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit për të funksionuar. Përpjekja për ta trajtuar këtë si çështje kushtetuese është manipulim i hapur i Kushtetutës dhe cenim i rëndë i parimit themelor të ndarjes së pushteteve.
Për më tepër, neni 66 i Kushtetutës është i qartë dhe i pakthyeshëm: zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me shumicën e deputetëve në seancën e parë. Nëse partitë politike nuk arrijnë të sigurojnë këtë shumicë, përgjegjësia nuk mund të shmanget me kërkesa jokushtetuese apo interpretime selektive. Ky është momenti ku duhet të dalin përpara përgjegjësia dhe pjekuria politike, jo manipulimi me Kushtetutën për të fshehur paaftësinë dhe egoizmin politik.
Çështja e kompetencave dhe parimi i ndarjes së pushteteve është i qartë. Nëse Presidentja do të insistonte në një interpretim të gjerë të nenit 113, kjo do të krijonte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm, që do të dobësonte themelet e demokracisë dhe do të hapte derën për ndërhyrje të padrejta në institucionet legjislative. Ndarja e pushteteve nuk është thjesht një formulë ligjore, por është mburoja kryesore kundër kapjes së shtetit dhe abuzimit me pushtetin.
Në këtë kuadër, analisti Qani Shabani paralajmëron rrezikun që sjell manipulimi i Kushtetutës për interesa politike momentale:
“Manipulimi i Kushtetutës për interesa politike momentale është shkelje e rëndë ndaj themeleve demokratike. Përgjegjësia institucionale dhe respekti për ndarjen e pushteteve janë garanci për stabilitet dhe përparim. Nuk mund të lejojmë që krizave politike t’u jepet zgjidhje përmes dështimit për të respektuar rregullat kushtetuese.”
Presidentja nuk duhet të kthehet në një arbitër politik me pushtete jashtë kufijve kushtetues, sepse kjo do të minonte besueshmërinë dhe funksionimin normal të institucioneve. Roli i saj është të jetë përfaqësuese e unitetit shtetëror, për të nxitur dialogun politik dhe jo për të uzurpuar kompetencat e Kuvendit apo për të krijuar precedentë që do të shkatërrojnë ekuilibrin e pushteteve.
Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të mbetet një institucion që ruan qetësinë dhe sigurinë kushtetuese, duke ndërhyrë vetëm kur ka shkelje të qarta dhe të pariparueshme. Ky ngërç, që buron nga paaftësia politike dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis, nuk mund të zgjidhet me anë të interpretimeve juridike selektive apo kërkesave të jashtme për ndërhyrje.
Në këtë situatë kritike, thirrja është për maturi dhe përgjegjësi politike. Presidentja ka detyrën të lehtësojë dialogun mes palëve, por jo të tejkalojë kufijtë kushtetues dhe të ndërhyjë në kompetencat e Kuvendit. Çdo përpjekje për të përdorur Kushtetutën si mjet për të tejkaluar mosveprimin dhe bllokadën politike është jo vetëm jokushtetuese, por edhe e dëmshme për stabilitetin e vendit.
Zgjidhja e krizës duhet të vijë nga Kuvendi vetë, përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe aktivizimit të mekanizmave parlamentarë të përgjegjësisë. Vetëm përmes një marrëveshjeje të bazuar në respektin për Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve mund të kapërcehet kjo krizë pa pasoja afatgjata për demokracinë dhe shtetin ligjor.