Sezoni turistik në shumicën e zonave të vendit ka më se një muaj që ka filluar me premisa pozitive si kurrë ndonjëherë, por ndërsa valët e turistëve përmbytin Greqinë, të punësuarit në këtë sektor janë të paktë në numër dhe punëdhënësit janë në një garë me kohën për ti gjetur.

Në Athinë, Selanik, apo ishujt e njohur të vendit dhe zonat bregdetare, shtohen tabelat jashtë restoranteve apo hoteleve me të cilat kërkohen kuzhinierë, kamarierë dhe staf kuzhine.

Shumë pronarë janë të dëshpëruar pasi klientët shtohen , por nuk kanë personel për të përballuar punën. “Turizmi është padyshim në rritje, por grekët preferojnë të punojnë me orar zyre, nga e hëna deri të premten, 9 me 5.” – deklarojnë ata.

Vlerësohet se rreth 80.000 vende pune janë ende të pambuluara në sektorin e shërbimeve ushqimore dhe hoteleve – shtylla kurrizore e një industrie që përfaqëson 25% të PBB-së të vendit ,ndërkohë që deri në vitin 2028, sipas Ministrisë Greke të Turizmit parashikohet se vendin do ta vizitojnë 40 milionë turistë – pothuajse katër herë më shumë se popullsia e Greqisë .

Kriza për mungesën e punëtorëve në sektorin e turizmit ka filluar prej pandemisë dhe është thelluar më pas për shkak të orareve të gjata , mungesës së kontratave të punës, krizës së kostos së jetesës në vendet turistike , por edhe puna që nuk është me kohë të plotë.

Megjithëse në ishujt me vizitueshmëri të lartë, si Kreta dhe Rodos , po shtohen raportimet për hotele e restorante që premtojnë paga dhe kushte pune më tërheqëse se konkurrentët e tyre të sektorit, kreu i Federatës së Punonjësve në turizëm deklaron se ka mungesë të paprecedentë të personave të kualifikuar dhe me përvojë.

Turizmi nuk është i vetmi sektor që ndikohet nga mungesa e fuqisë punëtore. Ndërtimet dhe bujqësia gjithashtu janë goditur nga ky fenomen , në një kohë që vendi jo vetëm po përjeton probleme demografike, por ende ndjen efektet e emigrimit të më shumë se 500.000 personave – kryesisht studentë dhe profesionistë të kualifikuar – gjatë krizës ekonomike.

Për të përballuar problemin, qeveria Mitostakis po përpiqet të sjellë të punësuar nga vendet e treta duke nënshkruar marrëveshje me vende si Egjipti, Vietnami, Bangladeshi, Gjeorgjia, India dhe Moldavia.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume