Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet I.P., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas njoftimit zyrtar, aktakuza është dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj të pandehurit.

Ngjarja për të cilën është ngritur aktakuza ka ndodhur më 03 mars 2025, në afërsi të Teqes “Saraçhane” në Prizren, ku I.P. dyshohet se ka nxitur urrejtje ndërfetare duke grisur dhe shpërndarë në tokë librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin. Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra dhe mllef të thellë në komunitetin islam, duke rrezikuar bashkëjetesën ndërmjet grupeve me bindje të ndryshme fetare.

Gjatë hetimeve është vërtetuar se i pandehuri ka vepruar në një gjendje të zvogëluar të aftësisë për të gjykuar dhe kontrolluar veprimet e tij, gjë që ka bërë që Prokurori i çështjes të propozojë trajtim të detyrueshëm psikiatrik në liri, në vend të dënimit penal konvencional.