Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është një Republikë Sërpska dhe se ai do të jetë nën Kushtetutën e Kosovës.
Në një konferencë të organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike me temën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ai tha se Asociacioni nuk ka funksion legjislativ dhe se i njëjti nuk ka asnjë ngjashmëri me Republika Sërpskan.
“Nuk është një Republikë Sërpska, aspak. Lexoni sërish Marrëveshjen e Dejtonit. Po shënojmë 30-vjetorin e Dejtonit. Lexoni se çfarë është Republika Sërpska dhe krahasojeni me statutin. Nuk ka asnjë ngjashmëri. Nuk ka polici për Asociacionin. Nuk ka funksion legjislativ për Asociacionin. Asociacioni do të jetë nën kushtetutë, jo pjesë e kushtetutës siç është Republika Sërpska”, tha Guerot.
Ai shtoi se mund të japë edhe “argumente të tjera” në lidhje me këtë temë, teksa shtoi se themelimi i saj do të ndryshojë shumë atmosferën në Paris.
“Pika tjetër: mirë, le të themi që Kosova e merr seriozisht këtë dhe e dërgon statutin në Gjykatë dhe fillon implementimin. A do të ndryshojë diçka? Po, po marr një rrezik personal, por po: do të ndryshojë shumë atmosferën në kryeqytetin tim”, tha ai.
“Dhe kështu Kosova mund të rikthehet në një situatë më të mirë për sa i përket reputacionit”.
Këtë deklaratë ambasadori francez e bëri në një konferencë të organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike me temën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”.