Edhe pse e përshëndeti nisjen e heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, kryeministri i saj Albin Kurti insistoi që ato të hiqen plotësisht, e madje i shtoi kërkesat për shefen e diplomacisë së bllokut europian.
Kurti i tha Kallasit se “Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor”, pohohet në deklaratën e shpërndarë sot nga Zyra e Kryeministrit.
Kosova, vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e kandidatit, ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende.
Kallas e kishte pohuar të enjten në Beograd se është “thellësisht e përkushtuar” për t’i inkurajuar të gjitha vendet e rajonit të shfrytëzojnë momentin pozitiv aktual që ekziston në procesin e zgjerimit” të unionit.
“Ky proces ekziston prej kohësh, megjithatë ekzisto gjithmonë një moment i duhur politik, dhe unë mund të them se ky moment është tani; Europa e Bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë të gjithë”, thotë Kallas.
Gjatë ndalesës në Prishtinë sakaq, ajo e bëri të qartë se “Kosova i përket familjes europiane, por ama nuk ka rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në BE”. Në këtë këndvështrim, nënvizoi se “përparimi mund të arrihet vetëm përmes reformave të vazhdueshme”.