Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë hetimore ndaj një 21-vjeçari të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë apo lëndë shpërthyese” dhe “Prodhim i paautorizuar dhe shpërndarje e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
Sipas njoftimit, gjatë një bastisjeje të kryer dje në tavanin e objektit ku banon i dyshuari në lagjen Aerodrom, janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me kalibër 7.65 mm me pesë fishekë, si dhe 4.2 kg marihuanë dhe 5.98 gramë kokainë.
Prokuroria ka konstatuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik real që i dyshuari të arratiset, të ndikojë mbi dëshmitarët ose të fshehë provat, por edhe mundësi që ai të përsërisë veprën penale. Për këto arsye, prokurori ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit.