Ibrahimi: Komisioni i Venecias edhe njëherë e zbuloi blofin me statusin e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në RMV

Komisioni i Venecias edhe njëherë e zbuloi blofin me statusin e
shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në RMV
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka shkruar se mendimi i
Komisionit të Venecias në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me
të cilin rregullohet edhe përdorimi i gjuhës shqipe, meriton një
shpjegim:
“Mendimi i Komisionit të Venecias në lidhje me Ligjin për përdorimin e
gjuhëve, me të cilin rregullohet edhe përdorimi i gjuhës shqipe, meriton
një shpjegim:
– përdorimi i gjuhës shqipe në seanca gjyqësore nuk përbën tejkalim të
të drejtave të minoriteteve;
– Komisioni i Venecias thotë se “këto janë standarde minimale dhe asgjë
nuk e pengon shtetin të garantojë të drejta më të gjera gjuhësore në
procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë administrimin e
duhur të drejtësisë.”
– Maqedonia e Veriut duhet t’i zbatojë këto standarde si minimale, por
askush nuk e ndalon atë që t’i ngrejë këto të drejta në nivel më të
lartë. Ka plot shembuj në botë (Finlandë, Zvicër, Kanada) ku shteti – në
frymë të kohezionit ndëretnik – e ka rritur vëllimin e këtyre të
drejtave gjuhësore.
– Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese nuk janë arbitri i kufijve të të
drejtave etnike, por vetëm vlerësuesit a mos bie ndesh ligji me
kushtetutën.
Megjithatë, një gjë që e kam thënë qëmoti dhe që më duhet ta përsëris
është fakti që këtë ligj e kanë dërguar në Komisionin e Venecias dhe ky
komision e shqyrton atë në bazë të Konventës së Këshillit të Europës për
Mbrojtjen e të Drejtave të Minoriteteve (Pakicave). Kjo flet për atë se
shqiptarët në RMV – në bazë të kësaj konvente europiane, por edhe
mënyrës si emërtohen në kushtetutë e në ligj – trajtohen si
MINORITET/PAKICË ETNIKE.
Ndërkaq ne e dimë se kush janë hartuesit, nënshkruesit dhe pranuesit e
Marrëveshjes së Ohrit, që shqiptarët i kategorizon si pakicë. Ata janë
këta mburravecët e BDI-së dhe vetë Ali Ahmeti.
Në këtë mënyrë edhe njëherë bien poshtë përrallat e BDI-së se shqipja
është zyrtare si maqedonishtja, se shqiptarët janë popull i barabartë me
maqedonasit dhe se Maqedonia e Veriut është shtet dygjuhësh.
E se për çfarë arsye “komandantët e Prizrenit” dhe “politikanët e
terrenit” i kanë lënë shqiptarët “PAKICË” dhe shqipen “GJUHË TË
PAKICËS”, ndërsa gjithë kohës i kanë mashtruar se janë kombi i dytë në
RMV dhe se gjuha e tyre është zyrtare, në këtë le të përgjigjen ata që
temën më të dashur e kanë “degradimin e shqiptarëve”. Sepse, nuk ka më
shumë degradim se ky dhe nuk ka më shumë mashtrim se ky”, ka shkruar
Ibrahimi.