Lideri i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi, në podcastin Fol në TV Festa dhe Tv Uskana e Kërçovës, ka folur ekskluzivisht edhe për ofertën që iu është bërë Taravarit për ndarjen e komunave.

Ibrahimi thekson se atij iu është ofruar që të ndaje vet komunat, po ashtu kjo ofertë iu është bërë edhe nga Albin Kurti, vetëm të deklarohet se është kundër bashkëpunimit me BDI-në.

Por, këtë gjë, Taravari e ka refuzuar dhe është e habitshme se pse ky njeri i detyrohet aq shumë BDI-së.

“ Në një nga takimet ja po e shpalos për televizionin tuaj i kemi thënë se ne jemi të gatshëm nëqoftëse ti e ke çështjen e ndarjes së komunave, se ne jemi të gatshëm të pranojmë si të thuash ti për ndarjen e komunave. Por, ne e kemi vetëm se një kusht a mund të dalësh e të thuash që nuk kam asnjë bashkëpunim dhe nuk do të bashkëpunoj në asnjë mënyrë me BDI-në. Vetëm kjo gjë është për neve e mjaftueshme që ti të pohosh në opinion që për neve të vazhdojmë e do merremi vesh për pjesën e ndarjes së komunave si të thuash ti. Kjo atij iu ka thënë edhe në takimin që e kemi pasur me zotin Albin Kurti në Prishtinë ku ai tha më thuaj ti sa komuna i do dhe në çfarë vendi i do dhe unë e bindi Izetin, Bilallin edhe Zekën që të bëhet ashtu, por vetëm të lutem a mund të deklarosh se nuk ke asnjë komunikim me BDI-në dhe nuk do të vazhdosh të komunikosh me BDI-në. Natyrisht ai nuk mund ta pohonte atë. Nuk mund të garantonte që nuk mund të ketë bashkëpunim me BDI-në. Kjo ishte indikativë se ka ndonjë shtytje tjetër që opinioni nuk e di që është mirë ai ta shpjegojë se pse aq shumë i detyrohet ai njeri BDI-së”, deklaroi midis tjerash Ibrahimi.