India ka ndalur rrjedhën e ujit nga diga Baglihar mbi lumin Chenab drejt Pakistanit, transmeton Anadolu.

Siç raporton gazeta “India Today”, një veprim i ri erdhi nga India, e cila pas sulmit në Xhamu dhe Kashmir ka pezulluar Traktatin e Ujërave të Indusit të nënshkruar me Pakistanin në vitin 1960.

Burime me njohuri për çështjen thanë se India ka ndalur rrjedhën e ujit nga diga Baglihar në lumin Chenab drejt Pakistanit.

Pretendohet se India po planifikon gjithashtu të ndërpresë edhe rrjedhën e ujit nga diga Kishanganga në lumin Jhelum.

Më 22 prill, 26 persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj turistëve në rajonin Pahalgam të Xhamu Kashmirit të administruar nga India.

India, e cila akuzoi autorët e sulmit se “erdhën nga Pakistani”, pezulloi “Traktatin e Ujërave të Indusit” dhe u kërkoi nënsekretarëve pakistanezë që punonin në New Delhi të largoheshin nga vendi brenda një jave dhe njoftoi pezullimin e shërbimeve të vizave për qytetarët pakistanezë dhe anulimin e të gjitha vizave të lëshuara më parë.

Pakistani i mohoi akuzat dhe kufizoi numrin e stafit diplomatik indian në Islamabad ndërsa deklaroi se çdo ndërhyrje ndaj lumenjve duke dalë jashtë “Traktatit të Ujërave të Indusit” do të konsiderohej “një akt lufte” si dhe pezulloi të gjithë tregtinë me Indinë dhe mbylli hapësirën e tij ajrore.