Kompania teknologjike kineze Baidu, e njohur si motori më i madh i kërkimit në Kinë, ka njoftuar se është duke zhvilluar një sistem që mund të përkthejë tingujt e kafshëve në gjuhë njerëzore duke përdorur inteligjencën artificiale (AI).
Projekti ambicioz është zbuluar përmes një patente të re të regjistruar në Administratën Kombëtare të Pronësisë Intelektuale të Kinës, e cila u bë publike këtë javë. Sipas dokumentit të patentës, sistemi i propozuar do të mbledhë të dhëna të ndryshme nga kafshët, përfshirë vokalizimet, sjelljet dhe sinjalet fiziologjike, për t’i analizuar me një algoritëm të avancuar AI.
Qëllimi i teknologjisë është të identifikojë gjendjen emocionale të kafshës dhe më pas ta përkthejë atë në fjalë të kuptueshme për njeriun, duke hapur rrugën për një komunikim më të saktë ndërmjet njerëzve dhe kafshëve, veçanërisht atyre shtëpiake.
Një zëdhënës i Baidu konfirmoi se përkthyesi është “ende në fazën e kërkimit”, por theksoi se ka pasur ‘interes të madh’ për këtë iniciativë, si nga publiku ashtu edhe nga studiuesit.
Megjithatë, reagimet në mediat sociale kineze janë përzier. Disa përdorues kanë shprehur entuziazëm për mundësinë e rritjes së mirëkuptimit me kafshët, ndërsa të tjerë janë më të rezervuar.
“Ndërsa tingëllon mbresëlënëse, do të duhet të shohim se si do të funksionojë në praktikë,” shkroi një komentues.
Përkthimi i ‘gjuhës së kafshëve’ në fjalë njerëzore ka qenë për shumë kohë një ëndërr e dashamirësve të teknologjisë dhe kafshëve, por vetëm me avancimin e AI-së po bëhet gjithnjë e më i arritshëm. Projekti i Baidu mund të shënojë një hap të rëndësishëm drejt asaj që dikur dukej si fantashkencë. Syri.net-CNN.gr.