Shtetet e Bashkuara kanë siguruar të dhëna të reja të inteligjencës që sugjerojnë se Izraeli është duke bërë përgatitje që të sulmojë qendra bërthamore të Iranit, edhe pse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke synuar që të arrijë një marrëveshje diplomatike me Teheranin, i thanë televizionit CNN disa zyrtarë amerikanë të afërt me të dhënat e fundit të inteligjencës.

Një sulm i tillë do të ishte ndarje e qartë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, thanë zyrtarët amerikanë. Veprimi kundër Teheranit gjithashtu do të mund të niste një konflikt më të gjerë rajonal në Lindjen e Mesme, diçka që ShBA-ja është përpjekur ta shmangë që nga koha kur lufta në Gaza nxiti tensione më 2023, raporton televizioni CNN.

Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se nuk është e qartë nëse udhëheqësit izraelitë kanë marrë një vendim përfundimtar për sulmin ndaj qendrave bërthamore të Iranit dhe se, në të vërtetë, ka mosmarrëveshje të thellë brenda qeverisë amerikane për mundësinë që Izraeli përfundimisht do të veprojë. Ajo nëse Izraeli do të sulmojë dhe si do të sulmojë me gjasë do të varet nga qëndrimi ndaj bisedimeve mes Uashingtonit e Teheranit për programin bërthamor të Iranit.

Megjithatë, “mundësia për një sulm izraelit ndaj një qendre bërthamore iraniane është shtuar në masë domethënëse muajve të fundit”, tha një person tjetër i afërt me të dhënat e inteligjencës amerikane rreth kësaj çështjeje. “Mundësia që një marrëveshje e negociuar nga Trumpi mes ShBA-së e Iranit që nuk e heq tërë uraniumin e Iranit e bën mundësinë për një sulm edhe më të mundshme” – shtoi ky person.

Dy prej burimeve thanë se në mesin e përgatitjeve ushtarake që Shtetet e Bashkuara i kanë vërejtur janë lëvizja e municioneve ajrore dhe përfundimi i një ushtrimi ajror.

Sidoqoftë, treguesit e njëjtë mund të nënkuptojnë, gjithashtu, se Izraeli po mundohet t’i bëjë presion Iranit që të heqë dorë nga parime kyçe të programit të tij bërthamor duke i sinjalizuar pasojat, nëse Teherani nuk bën një gjë të tillë.

Televizioni CNN ka kërkuar komente nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së dhe nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Ambasada izraelite në Uashington nuk komentoi.

Trumpi publikisht ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Iranit, në rast se dështojnë përpjekjet e administratës së tij për arritjen e një marrëveshjeje të re për kufizimin ose eliminimin e programit bërthamor të Teheranit./Nacionale