Inxhinierët e Maqedonisë njoftuan se me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Energjetikë më 29 maj 2025, furnizuesi me energji elektrike (EVN) është i detyruar të lëshojë fatura vetëm mbi bazë të konsumit real të matur.

“Çdo faturim me vlerë të vlerësuar (paushall) lejohet vetëm nëse matja nuk është e mundur për shkak të defektit teknik të pajisjes matëse. Në të gjitha rastet e tjera, veçanërisht kur matësi i energjisë është funksional, një praktikë e tillë është e paligjshme dhe bie ndesh me nenin 185 të ligjit të ri,” thuhet në njoftimin e tyre.

Shoqata e Inxhinierëve të Maqedonisë ka dorëzuar ankesë deri te Komisioni Rregullator për Energjetikë me kërkesë për:

Shfuqizimin e menjëhershëm të nenit 31 nga Rregullorja për furnizim me energji elektrike, pasi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 185 të Ligjit të ri për Energjetikë që hyri në fuqi më 29 maj 2025. Po ashtu, kërkohet përfundimi i menjëhershëm i procedurës për ndryshim të rregullores së nisur më 20 mars 2025;

Kryerjen e një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme ndaj punës së EVN-së, për të konstatuar nëse edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri vazhdohet me praktikën e paligjshme të faturimit mbi bazë të konsumit të vlerësuar;

Publikimin e një thirrjeje publike për konsumatorët, për t’i inkurajuar që të raportojnë fatura që nuk bazohen në matje reale, në përputhje me nenin 32 të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve;

Thirrjen e EVN-së në përgjegjësi publike, për mosrespektim sistematik të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale në lidhje me cilësinë e shërbimeve, veçanërisht për matje, lexim të rregullt, faturim të saktë dhe transparencë në përcaktimin e çmimeve për furnizim me energji elektrike.

Nëse konstatohet se bëhet fjalë për shkelje serioze dhe të vazhdueshme të këtyre detyrimeve, kërkohet nga Komisioni Rregullator të nisë iniciativë për shfuqizimin e kontratës për shitjen e 90% të aksioneve të ESM-së të lidhur me EVN Austria në vitin 2006.

ARSYETIMI

Ligji i ri për Energjetikë përcakton qartë që faturat për energji elektrike duhet të bazohen në matje reale përmes pajisjes matëse të certifikuar dhe të lexuar nga operatori i sistemit. Faturimi pa matje reale, përveç kur ka dëshmi për defekt teknik, është i paligjshëm.

Përdorimi i vazhdueshëm i nenit 31 nga rregullorja e vjetër bie ndesh me ligjin e ri dhe me nenin 51 të Kushtetutës, i cili përcakton se aktet nënligjore nuk mund të jenë në kundërshtim me ligjet. Komisioni është i detyruar të sigurojë respektim të ligjeve dhe të mbrojë të drejtat e konsumatorëve.

Përveç kësaj, praktika e faturimit pa bazë reale bie ndesh edhe me nenin 32 dhe 59 të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, dhe përbën edhe shkelje të kontratës së privatizimit të ESM-së nga viti 2006, në të cilën EVN Austria është zotuar për furnizim cilësor, të saktë dhe transparent në përputhje me ligjet maqedonase.

Për këtë arsye, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme e Komisionit Rregullator për Energjetikë, për të ndaluar çdo praktikë që shkel ligjin dhe të mbrojë të drejtat e konsumatorëve në përputhje me parimet e sundimit të ligjit, sigurisë juridike dhe barazisë.