Negociatorët kryesorë iranianë dhe amerikanë rifilluan bisedimet të dielën për të adresuar mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor të Teheranit, raportoi media shtetërore iraniane.
Edhe pse Teherani dhe Uashingtoni kanë thënë se preferojnë diplomacinë për të zgjidhur mosmarrëveshjen në dekada të tëra, ata mbeten thellësisht të ndarë në disa vija të kuqe që negociatorët do të duhet të anashkalojnë për të arritur një marrëveshje të re bërthamore dhe për të shmangur veprimet ushtarake në të ardhmen.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, dhe i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të zhvillojnë raundin e katërt të bisedimeve në Muscat përmes ndërmjetësve omanë, pavarësisht se Uashingtoni mbajti një qëndrim të ashpër në publik, të cilin zyrtarët iranianë thanë se nuk do t’i ndihmonte negociatat.
Araqchi, përpara se të nisej për në Muscat, i tha televizionit shtetëror iranian se “Irani ka qëndrime të njohura mirë, të bazuara në parime të qarta. Shpresojmë të arrijmë një qëndrim vendimtar në takimin e së dielës”.
Ai shtoi se ekipi i ekspertëve të Iranit ishte në Oman dhe “do të konsultohet nëse është e nevojshme”.
Witkoff i tha Breitbart Neës të enjten se vija e kuqe e Uashingtonit është: “Pa pasurim. Kjo do të thotë çmontim, pa armatim”, që kërkon çmontimin e plotë të objekteve bërthamore të Iranit në Natanz, Fordow dhe Isfahan, shkruan Reuters.