Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, nga koalicioni qeveritar, partitë e tjera të koalicionit VLEN po përpiqen ta fshehin këtë largim përmes disa funksionarëve të kësaj partie që nuk duan të heqin dorë nga funksionet shtetërore. Njëri nga më të zëshëm në mesin e atyre që duan me çdo kusht të qëndrojnë në anën e Mickoskit është ish-këshilltari i Nikolla Gruevskit, Azir Aliu, i cili përmendet më së shumti si kandidat për ministër të Shëndetësisë, shkruan Frontline në gjuhën maqedonase.

Përveç që ka qenë këshilltar i Gruevskit, burime nga BDI e përshkruajnë Aliun si njeriun që ka pasur më së shumti takime me Ali Ahmetin në Zajas dhe që ka qenë kanal komunikimi mes partisë së tij dhe BDI-së.

Në një konferencë për shtyp në Shkup, Azir Aliu u pyet nëse ekziston një kanal komunikimi mes BDI-së dhe ASH-së. Ai tha se ka komunikim me të gjitha subjektet dhe se kjo është një vlerë demokratike, ndërsa theksoi se ka pasur kontakte si ish-deputet në përbërjen e mëparshme parlamentare.

Në biografinë e tij, Aliu shkruan se nga viti 2013 deri në vitin 2017 ka punuar si këshilltar për arsimin e lartë, shkencën dhe TIK në kabinetin e kryeministrit – në atë kohë, Nikolla Gruevski, i cili ndërkohë iku në Hungari për t’iu shmangur burgut.

Analisti politik Driton Zenku thekson se vendimi i Arben Taravarit për t’u tërhequr nga Qeveria mund të shihet nga disa aspekte – politik, etik dhe strategjik.

– Në kontekst etnik, ky hap mund të interpretohet si një reflektim personal, përpjekje për të mos u identifikuar me kompromiset politike të partive të tjera të koalicionit VLEN (tash pjesë e pushtetit). Në këtë aspekt, ai përpiqet të ruajë pastërtinë e angazhimit të tij publik dhe të shmangë bashkëpërgjegjësinë për vendimet qeveritare me të cilat nuk pajtohet. Tërheqja mund të konsiderohet si një lëvizje taktike për të përgatitur terrenin për zgjedhjet e ardhshme. Duke qëndruar jashtë, ai krijon hapësirë për kritika ndaj pushtetit pa u lidhur drejtpërdrejt me të, duke e ringjallur imazhin e tij si një lider alternativ që nuk i nënshtrohet pazareve për pushtet, thotë Zenku për Frontline.

Sipas tij, Taravari gjithashtu mund të ketë synuar të shmangë harxhimin e mëtejshëm politik si pjesë e një qeverie që nuk gëzon mbështetje të gjerë te shqiptarët.

– Në një klimë politike të polarizuar dhe me tensione të larta brenda koalicionit VLEN, ky hap e pozicionon atë si figurë opozitare të qëndrueshme – një lëvizje që mund t’i sjellë kapital politik në të ardhmen, por që njëkohësisht e vendos përballë sfidës për të mbajtur strukturën partiake dhe besimin e anëtarëve të saj, thekson ai.

Sa i përket veprimit të Azir Aliut – ish-këshilltarit të Gruevskit – Zenku thotë se ai ngre dilema serioze si në aspektin moral, ashtu edhe në atë politik.

– Ky veprim përfaqëson një shembull klasik të oportunizmit politik: nga një prapavijë ideologjike drejt përfitimeve personale nga pushteti. Aliu, si një politikan që dikur guxoi të thyejë stereotipe duke pranuar të ishte këshilltar i një kryeministri të djathtë maqedonas, tani duket se po përpiqet të konsolidojë pozitën e tij brenda një pushteti ku përfaqësimi i shqiptarëve shpesh shërben si zbukurim demokratik. Kjo mund t’i sjellë përfitime afatshkurtra, por e dëmton rëndë përpjekjen për të ndërtuar një profil politik me parime dhe vlera të qëndrueshme. Ai përfaqëson modelin e vjetër – atë të “kuadrit shqiptar” në shërbim të pushtetit dhe jo të elektoratit të vet. Ky vendim shihet si një akt i mospërputhjes me vijën politike dhe bindjet personale. Më shumë duket si një vendim për pozicionim në pushtet sesa për përfaqësim real të ndjeshmërisë së elektoratit shqiptar, vlerëson Zenku.

Ndërkaq, analisti politik Urim Saliu e konsideron këtë si vendimin më dinjitoz të Taravarit në karrierën e tij politike.

– Largimi nga Qeveria u pasua me sulme ndaj tij, por vetë Taravari u tërhoq nga stuhia e koalicionit që herët a vonë do të shpërthejë si uragan. Nuk është se Taravari nuk e njeh VMRO-DPMNE-në. Ai e njeh më mirë se kushdo vendimin e kundërt që do ta merrnin të tjerët, sepse të gjithë vrapojnë pas pushtetit, ndërsa ai bëri të kundërtën. Kur del nga Qeveria, atëherë kupton kush është për pushtet e kush për çështje kombëtare. Aty shihet dinjiteti i një politikani që nuk dëshiron të qëndrojë në një qeveri që e ka braktisur lideri i partisë së tij, duke lënë pas shumë pikëpyetje për ata që ende qëndrojnë në qeverinë e Mickoskit në emër të “ndryshimit”, por në fakt qëndrojnë për funksione, thotë Saliu për Frontline.

Sipas tij, qeveria e Mickoskit kontrollon gjithçka, dhe pas tetorit do të ketë përplasje të reja që do ta pengojnë funksionimin e kësaj qeverie, ku kryetari i saj përpiqet ta mbajë në këmbë me ndihmën e disa individëve shqiptarë që nuk kanë peshë te votuesit, por vetëm ambicie për poste të larta ose për të qenë ministra.

I përmenduri si kandidat për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliu, nuk e mohoi mundësinë për të marrë këtë post, por tha se ende nuk është marrë vendimi dhe se do të diskutohet në ditët në vijim.

– Ende nuk kemi biseduar për këtë temë. Do të kemi takime në ditët në vijim, sepse deri tani kemi qenë të fokusuar në reagimin e qytetarëve ndaj krizës së brendshme në parti. Për ne qytetari gjithmonë e ka fjalën e fundit, tha Aliu, duke lënë të hapur mundësinë për kthim në qeveri me një nga resorët më të ndjeshëm.

Kryeministri Hristijan Mickoski ndërkohë konfirmoi se postet e lëna bosh nga Taravari do t’i mbesin koalicionit VLEN. Ai tha se pret që deri në fund të javës të përcaktohen emrat e rinj për pozitat e liruara.

– Ky portofol mbetet brenda koalicionit VLEN. Presim të kemi një propozim javën që vjen. Dje, pas mbledhjes së Qeverisë, patëm koordinim të koalicionit. Diskutuam për të ardhmen dhe vendosëm që fundi i kësaj jave të jetë afati për vendime konkrete, deklaroi Mickoski javën e kaluar.

Pas dorëheqjes së Taravarit nga posti i ministrit të Shëndetësisë, dorëheqje dhanë edhe Flakron Bejxheti nga posti i zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Elfet Ismaili nga posti i zëvendësministrit të Mbrojtjes, si dhe disa drejtorë e zëvendësdrejtorë. Largimi i tyre erdhi pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për të braktisur koalicionin qeveritar.

Drejtuesit e Aleancës për Shqiptarët vendosën para dy javësh të largohen nga Qeveria. Lideri i saj, Arben Taravari, shprehu pakënaqësi për mosrespektimin e marrëveshjeve dhe mosfunksionimin e koalicionit VLEN. Sipas tij, një nga arsyet për largimin është heqja e “balancuesit”, duke theksuar se gjithmonë janë bërë premtime për një ligj të përfaqësimit të drejtë, por asgjë konkrete nuk është realizuar. Ai tha se ishte premtuar që ky ligj të miratohet në nëntor, por kjo nuk ka ndodhur.

Sa i përket koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet lokale, Taravari theksoi se do të jetë i hapur për bashkëpunim me çdo parti. FrontlineMk