Këngëtarja e njohur shqiptare Big Mama, e cila prej dy muajsh është bërë pjesë e spektaklit “Ferma VIP”, ka ndarë një rrëfim tronditës për publikun teksa ka rrëfyer një përvojë të dhunshme që ka përjetuar në lidhjen e saj të parë.

Ajo tregoi se kishte qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga partneri i atëhershëm. “Filloi me xhelozi të madhe, presion psikologjik, më largoi nga shoqëria. Nuk isha më vetja ime,” tha Big Mama.

Ajo kujtoi një episod të rëndë ku, sipas saj, partneri e kishte shtrënguar në fyt aq fort sa nuk kishte mundur të ushqehej për rreth një javë.

“E fsheha, nuk doja të dilja në portale. Kisha hallin e familjes,” shtoi ajo, duke shpjeguar arsyet pse nuk kishte folur më herët.

Big Mama theksoi se përjetimet e saj e ndihmuan ta kuptonte të vërtetën: ajo ishte një viktimë dhe duhej të shpëtonte. “I dërgova një mesazh dhe i thashë që dua t’i jap fund,” përfundoi ajo.

Në mbyllje të rrëfimit, artistja dha një mesazh të fuqishëm për vajzat dhe gratë shqiptare: “Mos iu përgjëro asnjë mashkulli. Bëhuni zonja e vetes suaj. Asnjë familje nuk ka fëmijë për të hedhur poshtë.”
Ky rrëfim prekës vjen si një thirrje kundër dhunës në marrëdhënie dhe si një inkurajim për të gjitha gratë që të mos heshtin përballë abuzimit.