Ushtria izraelite ka arrestuar përsëri shtatë palestinezë në Bregun Perëndimor, të cilët ishin liruar si pjesë e marrëveshjes më të fundit të shkëmbimit të të burgosurve me Hamasin në shkurt.

Gjashtë nga të burgosurit u ndaluan në Qalqilya, ndërsa i shtati u kap në Ramallah.

Bëhet e ditur se ata u dërguan në vende të pazbuluara dhe nuk janë bërë publike as vendndodhja dhe as rrethanat e ndalimit të tyre.

Në muajt e fundit, ushtarët izraelitë kanë arrestuar përsëri 13 palestinezë të liruar më parë sipas marrëveshjes së shkurtit, shkruajnë mediat e huaja.

Shtatë mbeten në paraburgim, duke përfshirë një grua, ndërsa gjashtë janë vendosur në paraburgim administrativ – një praktikë e diskutueshme izraelite ku individët mbahen pa akuzë ose gjyq.

Ndryshe, mes të arrestuarve ishte Saed al-Fayed, 51 vjeç, i cili kishte kaluar 23 vjet në burgjet izraelite dhe u lirua si pjesë e marrëveshjes së fundit të shkëmbimit të të burgosurve.

Djali i tij, Issa al-Fayed, tha se ushtarët hynë në shtëpi, e thirrën babanë e tij me emër, e prangosën dhe e morën pa dhënë asnjë shpjegim për arrestimin.

“Ishte një tronditje për ne. Nuk e prisnim që ai të arrestohej kaq shpejt”, tha ai.

“Shpresojmë që ky të jetë një paraburgim i përkohshëm, por gjithashtu kemi frikë se ai do të vendoset në paraburgim administrativ, siç ka ndodhur me disa të tjerë të liruar në marrëveshje.”