Pas vrasjes së dy diplomatëve në Uashington, qeveria izraelite njoftoi tërheqjen e të gjithë ekipit negociator nga bisedimet e Dohas që synojnë arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës.

Anëtarët e lartë të ekipit u thirrën në Izrael, ndërsa vetëm anëtarët e ekipit operativ do të qëndrojnë në kryeqytetin e Katarit.

Familjet e pengjeve që mbahen ende në Gaza shprehën kritika të forta ndaj vendimit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e përdori ngjarjen për të fajësuar qeveritë e Kanadasë, Britanisë dhe Francës për nxitjen e krimeve antisemite

Në një mesazh të shpërndarë të enjten të mbrëmje, Netanyahu tha se vrasja e dy punonjësve të ambasadës izraelite është ngjarje “e tmerrshme”.

“Terroristi që i qëlloi mizorisht e bëri këtë për një arsye të vetme, ai donte të vriste hebrenj. Dhe ndërsa e larguan ai brohoriste, ‘Çlironi Palestinën!’ Kjo është pikërisht e njëjta brohoritje që dëgjuam më 7 tetor.”

Ambasadat izraelite në mbarë botën rritën menjëherë masat e sigurisë.

Izraeli po dënohet botërisht për vazhdimin e ofensivës ushtarake në Gaza, ndërsa opozita brenda vendit dhe grupet hebraike kanë paralajmëruar rritje të incidenteve antisemite.

Izraeli ndërkohë njoftoi lejimin të mërkurën të mbi 100 kamionëve me ushqim për foshnjat dhe pajisje mjekësore në enklavë.

Netanyahu tha gjithashtu se ushtria izraelite “shpreh keqardhje” për incidentin me diplomatët europianë në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku u hap zjarr gjatë vizitës së tyre.