Kaltrina Zekolli Shaqiri, mori pjesë në mbledhjen ministrore të Komunitetit të Transportit në Beograd

Zëvendësministrja e Transportit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, mori pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit Ministror të Komunitetit të Transportit, e cila u mbajt më 16 maj 2025 në Beograd, Republikën e Serbisë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme rajonale morën pjesë zyrtarë të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në fushën e transportit. Diskutimet u përqendruan në sfidat dhe prioritetet e përbashkëta për ndërtimin e një sistemi transporti të qëndrueshëm dhe të ndërlidhur sipas standardeve evropiane.
Zëvendësministrja Zekolli Shaqiri, në fjalën e saj, nënvizoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për zbatimin e projekteve strategjike në infrastrukturën transportuese, me theks të veçantë në zhvillimin e Korridorit 8, modernizimin e rrjetit hekurudhor dhe rrugor, si dhe përmirësimin e sigurisë në transport. Ajo theksoi nevojën për koordinim më të ngushtë mes vendeve të rajonit për të përshpejtuar integrimin në rrjetin evropian të transportit dhe për të lehtësuar qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi përparimin e reformave të transportit në secilin vend, zbatimin e Planit të Veprimit për Ballkanin Perëndimor, si dhe për tranzicionin drejt një modeli të gjelbër dhe të qëndrueshëm transporti.
Ministria e Transportit e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e ndërlidhjes infrastrukturore, si pjesë e përkushtimit për zhvillim afatgjatë dhe integrim evropian.