Në provincën Manitoba të Kanadasë është shpallur gjendje e emergjence për shkak të zjarreve pyjore dhe është lëshuar urdhër evakuimi për më shumë se 17.000 njerëz, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të CBC News, kryeministri i Manitobës, Wab Kinew deklaroi se “Qeveria e Manitobës ka shpallur gjendje emergjente në rajon për shkak të zjarreve”.
Ai vuri në dukje se ata kanë urdhëruar evakuimin e më shumë se 17.000 njerëzve dhe kanë kërkuar mbështetje ushtarake nga kryeministri kanadez Mark Carney për të luftuar zjarret.
Në një deklaratë me shkrim nga organizata “Manitoba Keewatinowi Okimakanak”, e cila përfaqëson 26 popujt indigjenë “First Nations (Popujt e Parë)” në rajon, u raportua se shumica e njerëzve të evakuuar janë indigjenë.
Dy persona kanë humbur jetën për shkak të zjarreve që po përhapen me shpejtësi në parkun rajonal “Whiteshell” në Manitoba.
Kryeministri rajonal, Kinew shpalli gjendje emergjente në parkun rajonal “Whiteshell”, i cili kategorizohet si zonë e mbrojtur nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).