Nga viti 2012 deri në vitin 2021, në repartin e oftalmologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës janë kryer mesatarisht 800 deri në 900 operacione të kataraktës në vit, duke përdorur metodat më bashkëkohore kirurgjikale. Kjo praktikë ka ndihmuar mijëra qytetarë të rikthejnë shikimin dhe ka qenë një nga shembujt pozitivë të funksionimit të sistemit shëndetësor publik në rajon.

Megjithatë, pas vitit 2021 situata ndryshoi ndjeshëm. Me ndërrimet në udhëheqjen e spitalit dhe të repartit, numri i operacioneve ra në mënyrë drastike. Sipas burimeve brenda repartit, kjo erdhi si pasojë e mungesës së furnizimeve me materiale mjekësore dhe pengesave të brendshme administrative, ku përmendet edhe drejtuesi i atëhershëm i repartit, Fatmir Xhaferi, si përgjegjës për obstruksionet dhe tensionet ndërmjet kolegëve.

Në vitin 2023, me emërimin e Dr. Ilir Demirit në krye të Spitalit Klinik të Tetovës, situata nisi të përmirësohej. U rikthyen operacionet, ndërsa ndaloi kaosi në ambulancën e syve. Reparti i oftalmologjisë rifilloi punën pa ndërprerje nën drejtimin e mjekëve kirurgë Dr. Cvetanka Trpevska dhe Doc. Nadi Rustemi.

 

Por kjo periudhë stabiliteti nuk zgjati shumë. Me emërimin e drejtorit të ri, Agim Brisha, sipas burimeve nga spitali, problemet e mëparshme u rikthyen. Operacionet u ndaluan sërish, mbi 500 thjerrëza optike kaluan afatin e përdorimit, dhe rreth 300 qytetarë mbetën pa ndërhyrjen e nevojshme. Humbja financiare e vlerësuar arrin mbi 500 mijë euro, mjete që i përkisnin qytetarëve dhe që u dëmtuan si pasojë e mosmenaxhimit dhe përplasjeve të brendshme.

Aktualisht, në repartin e oftalmologjisë raportohen probleme serioze me furnizimet, mosfunksionim të aparaturave për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, dhe mungesë vullneti për të kërkuar riparime nga drejtoria. Sipas burimeve të besueshme për Televizionin Shqiptar (TS), këto vonesa dhe bllokime po bëhen qëllimisht për të penguar procesin dhe për të fajësuar mjekët për mosrealizimin e operacioneve.

Për më tepër, udhëheqësja aktuale e repartit, dr. Isnije Vejseli-Jonuzi, ka qenë më parë subjekt i një procesi gjyqësor, në të cilin është vendosur se burri i saj, gjatë kohës sa ishte anëtar i një komisioni për shfrytëzimin e mjeteve financiare për përkujdesje sociale, kishte përfituar mbi 4,000 denarë në muaj në mënyrë të padrejtë. Kjo ka shkaktuar një dëm prej mbi 100,000 euro për Qendrën për Punë Sociale, të cilat më pas u është kërkuar të kthehen nga burri i saj.

Situata në repartin e oftalmologjisë mbetet shqetësuese, ndërsa qytetarët janë ata që vuajnë më së shumti pasojat e kësaj gjendjeje të rënduar administrative dhe profesionale.