Kuvendi i Kosovës as për të 24 herë nuk ka arritur të konstituohet.

Seanca e radhës do të mbahet më 2 qershor në ora 10:30.
Haxhiu: Është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktisë qëndrimet bllokuese

Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, deputetja Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partitë që në mandatin e fundit ishin në opozitë, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim.

“Ka deputetë që vijnë në Kuvend, por nuk e dinë pse vijnë. Secili deputet i LVV-së në secilën seancë konstituive, kanë qenë të pranishëm për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit. Sot ishte seanca e 16 prej momentit kur është propozuar votimi për të kaluar në votim të fshehtë, dhe në asnjërën nga to nuk ka pasur as përpjekje minimale të deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në votim”.

“Nuk po themi të votojnë pro domosdo, por të votojnë kundër ose abstenim”.

Ajo tha se kjo situatë është shqetësuese.

“Janë 24 seanca me të sotmen. Kjo situatë natyrisht se është brengosëse, por sa i takon LVV-së, secilin obligim që e kemi pasur me Kushtetutë, me rregulloren e punës së Kuvendit, e kemi adresuar. Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për të konstiuuar Kuvendin”.

“Edhe në letrën e Osmanit thuhet se u takon të gjithëve të gjejnë mënyrë për të konstituuar kuvendin, e jo për ta bllokuar atë”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktis qëndrimet bllokuese, që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të jemi në përputhje me Kushtetutën. Ne po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionin e fshehtë, çështje e cila është dërguar nga AAK-ja”, deklaroi Haxhiu.

11:16 – Abrashi (VV): Jemi në pritje të një përgjigjeje të Gjykatës Kushtetuese

Artan Abrashi, deputeti i betuar i VV-së ka thënë se ish-opozita po bojkoton dhe po bën sabotazh ndaj votimit kundër të komisionit të fshehtë, e në këtë mënyrë të arrihet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Sot ishim dëshmitarë të dështimit të 16-të për të formuar komisionin e fshehtë. Është duke dështuar si rezultat i bojkotit dhe sabotazhit opozitar. Është absurde”, tha ai.

Tutje, ai u shpreh se VV-ja është në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. /klankosova.tv

11:11 – Zemaj: Nuk vendosi unë për pagën, është çështje procedurale dhe ligjore

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, pas dështimit të seancës konstituive u pyet lidhur me pagën 1 mijë e 500 euro që morën deputetët.

Pyetja për pagën, Zemajt iu duk atraktive, por jo që mund të bëj zgjedhjen e problemit.

“Nuk vendosi unë për pagën, është çështje procedurale dhe ligjore. Puna po bëhet, seancat janë të thirrura ashtu siç janë me rregullore. Këtë detyrë e ka deputeti me ardhë dhe me u bë pjesë e vendimmarrjes, detyrë tjetër pos përfaqësimit që janë edhe ligjore edhe kushtetuese nuk kanë”, tha Zemaj, transmeton Klankosova.tv

11:10 – Haradinaj për Limajn: “E shkuar e harruar”

Fatmir Limaj është “e shkuar e harruar” për Ramush Haradinajn.

Kështu deklaroi kreu i AAK-së pas seancës së sotme në Kuvend, kur u pyet nga gazetarët se a është emri i kreut të Nismës unifikues për t’u votuar si kryetar parlamenti.

Kjo pasi kohëve të fundit, por emrit të Albulena Haxhiut, si e nominuar zyrtare për postin e të pares së Kuvendit, edhe Limaj është përfolur shumë për këtë post.

11:06 – “Fat Familjarëve”, Guri tregon se kujt ia çoi këtë mesazh

Deputeti i betuar i LDK-së, Paris Guri është deklaruar pas dështimit të 24-të për të konstituuar të Kuvendit.

Ai tregoi mesazhin pas veshjes së tij, ku shkruhej “Fat familjarëve”, transmeton Klankosova.tv.

“Qytetarët e Kosovës as nuk po provojnë më, janë dorëzuar, edhe në provimin e fatit, kështu ky është mesazh për familjarët e pushtetarëve”, tha ai.

11:05 – Çitaku: Sot do të duhej të ishim në seancë për ta shkarkuar bordin e ZRrE-së

Ka dështuar seanca e 24-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas dështimit të radhës, për media ka folur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

“Ne sot do të duhet të ishim në seancë për të shkaktuar bordin e ZRrE-së, fatkeqësisht për shkak të kryeneçësisë politike të z.Kurti dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin e tij politik. Nuk votohet me diktat, kemi një ngërç politik artificial. Ju bëj thirrje për reflektim”, tha Çitaku. /Klankosova.tv

11:00 – Kuvendi s’merr formë as pas tentimit të 24-të

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish të konstituojnë legjislaturën e re.

Kjo po ndodh në mungesë të votave.

Për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë, nuk pati vota të mjaftueshme.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës mbahet pas 48 orësh.

10:49 – Kurti s’flet sërish për gazetarët

Pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish nuk foli për gazetarët.

Ai u pyet për një takim të mundshëm me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj, megjithëse Kurti nuk dha përgjigje, transmeton Klankosova.tv.

10:49 – Bekë Berisha, AAK: Ndihna keq si deputet që nuk ka zgjidhje për konstituimin e Kuvendit

Deputeti i AAK-së, Beke Berisha ka folur para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se i vjen keq nga qytetarët që nuk kanë mundur të bëjnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.

“Ndoshta e vetmja shpresë ka mbetë tek gjykata kushtetuese ose eventualisht tek një ftesë tjetër e partive politike qe ish deshtë me ndodh nga Presiendetja. Më vjen keq prej qytetarëve, edhe prej juve besa. Siç duket neve na kanë nejtë gati qeto ambasada, sepse ne si politikanë nuk kemi mujtë me iu dhanë orientim momenteve politike, por veç na kanë nejtë gati. Ndihna keq si deputet dhe si përfaqësues për mos me pasë zotësi me u mledh njerëzit e zgjedhur për me gjetë një zgjedhje”, tha Berisha.

Ndër tjerash, Berisha tha se pagën bazë e mori 1500 euro.

“Kjo paga bazë është, se po mendojnë që marrim mëditje, e kam një pagë, e nëse juve gazetarëve iu ka mbet po jau dha. Për qeta jemi zgjedh”, tha Berisha.

Kuvendi i Kosovës sot mblidhet për herën e 24-të, në përpjekje për konstituimin e këtij institucioni. /Klankosova.tv

10:30 – Izmaku: Kuvendit i duhet figura e Limajt

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku ka thënë se Kuvendit të Kosovës i nevojitet një figurë si e Fatmir Limaj.

“Nuk ka qëndrim të ri, NISMA konsideron që Kuvendit i duhet një figurë si e Limajt”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv.

Ajo tutje tha se kryetari i Kuvendit duhet të jetë dikush që ka luftuar për vendin.

“Duhet të jetë figurë që njihet për unitet”, u shpreh tutje Izmaku.

10:30 – Haradinaj: As këtë seancë, nuk ka ndonjë ndryshim

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur para seancës së 24-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj shkurtimisht tha se “nuk do të ketë ndonjë ndryshim”.

Derisa, për media tha se do të flas pas seancës.

Kujtojmë se tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare. / Klankosova.tv

10:19 – Hasani: S’pres ndryshim pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese

Deputeti i betuar i PDK-së, Nait Hasani, ka mbërritur në Kuvend për të marrë pjesë në seancën e radhës për konstituimin e këtij institucioni.

Ai u shpreh se nuk pret ndonjë ndryshim pa vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar, as nga kryetarët e partive, as nga rrugët apo thashethemet. Derisa të ketë një vendim të Kushtetueses, nuk pres ndryshim. Nuk besoj që do të ndryshoj ndonjë gjë, nuk kemi njoftim as kryetarët e partive e as nga mjetet e rrugëve apo thashetheme të rrugëve. Besoj që është prapë e njëjta gjë, pa ardh një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim ose do të ketë ndonjë ndryshim”, theksoi ai.

10:13 – Tahiri: S’kam asgjë të re për t’ju thënë

Deputeti i betuar i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk ka diçka të re për të shtuar, pak para seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“S’kam diçka të ri me ju thënë, pas përfundimit të kësaj seance, mund të dalë të flas kryetari i partisë”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

Ai tutje tha se ish-opozita është në krye të detyrës, pasi sipas tij, ata janë prezent në çdo seancë.

Sot pritet të nisë tentimi i 24-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit kanë nisur të hyjnë në sallë për të qenë prezent sërish për seancën e orës 10:30.

Në 23 herët e fundit, tentativa ka dështuar, herë për mos dakordim mes partive për të votuar pro kandidates së LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e seancave të fundit po dështon për shkak të mos themelimit të komisionit për procedurat e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Pro këtij komisioni po deklarohen në mënyrë të vazhdueshme nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa partitë tjera si PDK, LDK dhe AAK, nuk po marrin fare pjesë në votim.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, gëzon të drejtën për të propozuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Kështu, kjo parti ka propozuar Albulena Haxhiun për të drejtuar këtë institucion.

Partitë që deri në mandatin e kaluar ishin në opozitë, nuk po pajtohen me këtë emër, dhe kështu vendi ka mbetur pa Kuvend që nga 15 prilli, kur edhe u mbajt seanca e parë.

Klankosova.tv dhe televizioni Klan Kosova do ju mbajnë të informuar për këto zhvillime.