Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se në takimin me Kryetarin e VV-së, Albin Kurtin i ka kërkuar atij që ta mendojë për ta ndryshuar kandidaturën për Kryetar të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai theksoi se për PDK-në është e rëndësishme që situata të bllokohet, por që vota për Kryeparlamentarin s’mund të imponohet.

“I kërkova me ndrru kandidaturën për Kryetar të Kuvendit. Nuk mora sinjale që do ta bëjë. Nuk mund të interpretoj diçka që nuk mora”.

“I kam thënë edhe Kurtit Për PDK-në është shumë me rëndësi që të zhbllokohet kjo situatë që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të hyjmë në afatet kushtetutese për zgjedhjen e qeverisë, dhe për të ndodhur kjo padyshim, privilegji i takon partisë që ka dalë e para”.

“Por meqenëse është hera e parë që një parti që s’ka shumicë parlamentare po kërkon me zgjedh kryetarin, atëherë një gjë e tillë nuk mund të imponohet. Kshtu që i thash edhe Kurtit që mirë me mendu për kandidatura të tjera, ne nuk kemi pasë qëndrim bllokues, s’na takon neve me ja zgjedh kryetarin e Kuvendit partisë që ka dalë e para”, tha Krasniqi para gazetarëve, ndërsa shtoi se duhet votuar një figurë e pranueshme, derisa përmendi dy opsionet që kanë dhënë kolegë të tij.

Sa i përket çështjes së nënkryetarëve që Kurti e kishte përmendur edhe në letrën për takim, Krasniqi tha se kjo çështje është ndaras dhe se votohen si pako, e nuk do diskutim fare.

“Nënkryetarët as që diskutohen, janë çështje ndaras. Është pako, votohen kandidatët e tri partive më të votuara. Kjo është krejt çka kemi diskutu. Nuk besoj që ka ndryshu si situatë, por ta dinë edhe tjerët që PDK-ja nuk i heziton dialogut edhe diskutimeve me këdo”, vazhdoi ai.