“Krenar që një shqiptar arrin një majë të tillë në karrierë”, Auron Tare mesazh pas emërimit të vëllait te Milani: Na kurseni urimet hipokrite!

Studiuesi Auron Tare ka falënderuar miqtë dhe dashamirësit e vëllait të tij, Igli Tare, pas marrjes së postit si drejtori i ekipit të Milanit.
Përmes një posti në rrjetin social Facebook, shprehet se ndihet krenar që një shqiptar arrin një majë të tillë në karrierë.
Ndër të tjera u ndal te ‘urimet hipokrite’, për të cilat kërkon që ‘të kursehen’.
“Duke Falënderuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit e Iglit, të Babait dhe të mitë të cilët kanë dërguar mesazhe urimesh dhe mbështetje për një sprovë shumë të madhe që një shqiptar do të ndërmarrë në arenën botërore të Futbollit, më duhet ti them edhe dy fjalë si një njeri që nuk e njeh futbollin dhe atë Italian në vecanti.
Si një shqiptar ashtu si shumë shqiptarë të tjerë që kanë shkruar që nga Zelanda e Re, Alaska, Kalifornia apo ndonjë fshat i thellë këtu në Shqipëri edhe unë jam shumë krenar që një shqiptar arrin një majë të tillë në karrierën e tij personale. Suksesi i Iglit duhet të frymëzojë çdo shqiptar që vendos të provojë veten dhe fatin e tij në botën e madhe ku sot jetojmë apo kontribuojmë. Urimet e sinqerta të shumë shqiptarëve i vlerësoj shumë si një mbështetje me të vërtetë e sinqertë. Por më duhet të them se sot në mëngjes lexova edhe disa urime thellësisht hipokrite. Më duhet të them se Shqipëria Futbollistike dhe ajo Politike nuk patën ndonjë dëshirë apo vullnet që ish Drejtorin e Lacios ta përfshinin apo angazhonin ndonjë projekt sportiv për të mirën e vendit. Prandaj urime Iglit dhe na kurseni hipokrizitë shqiptare please.”, shprehet Auron Tare.