Kritika të ashpra nga Kombet e Bashkuara/ Izraeli nis një ofensivë të re të zgjeruar në Rripin e Gazës

Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar një ofensivë të re të zgjeruar në Rripin e Gazës.
“Qëllimi fillestar i Operacionit Gideon’s Chariots është të fitojë kontrollin mbi disa zona të Rripit të Gazës. Për këtë qëllim, ushtria kapi pika të rëndësishme strategjike gjatë ditës, duke kryer sulme të gjera dhe duke mobilizuar trupa”, thuhet në njoftim.
Operacioni ushtarak që po zhvillohet tani është hapja e fazës për “arritjen e qëllimeve të luftës” – duke përfshirë lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin përfundimtar të organizatës terroriste Hamas, u tha më tej. Sipas raporteve të mediave izraelite, sulmet synojnë gjithashtu të sigurojnë hyrjen e trupave të tjera ushtarake.
Kritika të ashpra nga Kombet e Bashkuara
Kreu i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, dënoi në mënyrë të ashpër ofensivën e re të Izraelit. “Duket si një shtysë për transferim të përhershëm të popullsisë në Gaza që shkel ligjin ndërkombëtar dhe barazohet me spastrimin etnik”, tha Türk në Gjenevë. Bombardimet çojnë në zhvendosje të mëtejshme.
Ofensiva e re e paralajmëruar nga qeveria izralite
Qeveria izraelite kishte njoftuar kohët e fundit se do të zgjeronte operacionet ushtarake në Rripin e Gazës. Mediat izraelite kishin raportuar se kjo do të ndodhte pas përfundimit të udhëtimit të Trump në rajon, e nëse deri atëherë nuk do të ishte arritur një marrëveshje e re për Gazën. Ndërkohë Trump e përfundoi vizitën e tij disaditore në rajonin e Gjirit. Një marrëveshje e re duket se nuk ka gjasa të arrihet.
Raportime për duzina viktimash në Rripin e Gazës
Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi në Gaza, duzina njerëzish u vranë. Informacioni, i cili nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Sipas raportimeve, ka pasur sulme masive, veçanërisht në veri të zonës.
Ofensiva e re ushtarake pritet të përkeqësojë më tej gjendjen e vështirë të njerëzve në Rripin e Gazës me popullsi të dendur, mjaft e shkatërruar pas më shumë se një viti e gjysmë lufte. OKB-ja dhe organizatat humanitare paralajmërojnë për zi buke.